Princi Harry ka vendosur një rekord me librin e tij të kujtimeve “Spare”, pasi versioni në gjuhën angleze shiti më shumë se 1.4 milionë kopje në ditën e parë të publikimit.
Shitjet e parakohshme përfshinin të gjitha formatet e librit — letër, audio dhe elektronike — në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Mbretëri të Bashkuar, sipas një deklarate të lëshuar të mërkurën nga botuesi i librit Penguin Random House, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.
“Dita e parë e plotë e shitjeve të “Spare” përfaqëson totalin më të madh të shitjeve të ditës së parë për çdo libër të botuar ndonjëherë nga Penguin Random House, botuesi më i madh tregtar në botë,” tha Penguin Random House.
Kujtimet prej 410 faqesh të Harry-t dolën zyrtarisht në shitje të martën, me disa dyqane në Londër të hapura në mesnatë në pritje të kërkesës së lartë.
“Spare” ka dalë në shitje në 16 gjuhë në mbarë botën.