Pak muaj më parë, Kujta dhe Meri i lanë të gjithë gojëhapur kur ia dolën të veshin divën botërore, Beyonce.
E duket se paraqitja me fustanin e zi me detaje ka qenë vetëm fillimi i një bashkëpunimi me yllin botëror.
Kreacionet e dyshes kosovare kanë qenë sërish të përzgjedhurit e Beyonce, kësaj radhe në një projekt gjigant e shumë personal.
Diva botërore është shfaqur e veshur me fustanet e kreatorëve tonë në “Black is King”.
“Black Is King” është një film muzikor i sapo publikuar që mban vulën e këngëtarës amerikane Beyoncé. Filmi shërben si një shoqërues vizual i albumit të vitit 2019 “The Lion King: The Gift”.
Të lumtur që sërish ishin zgjedhja e këngëtares në këtë projekt të ri, Kujta dhe Meri shprehen në postimin e bërë:
“Jo i lehtë, por shumë motivues, ka qenë rrugëtimi për krijimin e disa pjesëve të filmit të shkurtër të Beyonce “Black is King”. Pamja e Divës në Kujta & Meri ka qenë, deri tani, perla më e çmuar që kemi prekur dhe krijuar nga duart tona të palodhshme. @beyonce, ti do jesh motivimi ynë i pafund në krijimin e artit dhe avancimin e talentit tonë përtej oqeanit. Krijimtaria jonë në shërbimin tuaj është dëshmia jonë më e madhe! Adhuroj njerëz si ju!”.
Ky është një tjetër sukses i jashtëzakonshëm i kreatorëve kosovarë që me talentin dhe punën po e shndërrojnë vendin tonë të vogël në epiqendër të modës si adresë e besuar edhe nga emra kolosal si Beyonce. /Prive.al