Yllka Gashi e lumtur për suksesin e filmit “Zgjoi”, thotë se për të punuan gati një dekadë

By

Aktorja kosovare Yllka Gashi, ka thënë se tre çmimet e fituara të filmit “Zgjoi” në festivalin më të madh të filmit në Amerikë “Sundance”, janë një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën.

Ajo për herë të parë pas këtyre çmimeve ka folur në Orën e Pasdites në Klan Kosova, duke deklaruar se ky film ka dhjetë vjet që është duke u punuar.

“Në kohë reale e kam marrë lajmin kur Blerta Basholli e ka fituar çmimin për regjinë më të mirë. Ky ka qenë një lajm shumë i mirë dhe fenomenal. Për ne ishte një gëzim dhe shok që kemi arritur ta marrim atë shpërblim. Ndërsa, të nesërmen e kam kuptuar që i kemi fituar edhe dy çmimet tjera. Më mori pak kohë derisa e absorbova atë lajm, atë gëzim”.

“Këto çmime nuk është se kanë rëndësi personalisht vetëm për neve që jemi pjesë e tij. Ky film ka peshë për kinematografinë tonë, për kulturën dhe për Kosovën si shtet. Me aq sa kam informacione, unë nuk e di sa janë të sigurta, por në këtë festival nuk ka ndodhu asnjëherë t’i fitojë tre çmime ndonjë film i rajonit apo edhe i Evropës. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm, jam tepër e lumtur dhe jam krenare që jam pjesë e këtij sukses”.

Gashi ka theksuar se regjisorja Blerta Basholli nga viti i 2011 ka filluar të punojë dhe ta shkruajë filmin “Zgjoi”.

“Unë pjesë e këtij filmi kam qenë nga viti 2011, prej kur Blerta kishte filluar të punonte për të. Gati një dekadë është prej kur ka filluar të shkruhet dhe punohet për këtë film. Unë 10 vjet kam pritur për të luajtur në rolin e Fahrije Hotit, e cila është një grua që të mahnitë me energjinë e saj dhe forcën stoike të cilën e karakterizon”.

“Për historinë dhe përjetimet e kësaj gruaje, unë them se duhet një serial me dhjetë sezona dhe nga 20 episode brenda. Është shumë e vështirë të përmbledhjet krejt ajo çka ka përjetuar kjo zonjë. Fahrija është një heroinë, ajo është simbol i gruas së mençur dhe punëtore, ajo nuk dorëzohet para asnjë sfide”.

Aktorja kërkon nga institucionet dhe politikanët në Kosovë që të mos falënderojnë kur ka suksese të tilla në kinematografi, por të punojnë sa më shumë që vendi të vendoset në hartë me gjëra të tilla.

“Mos falënderoni, veproni konkretisht nëse doni me vendos Kosovën në hartë për të mirë. Duhet të rritet buxheti si në kinematografi edhe në kulturë. Duhet të merreni seriozisht me kërkesat e artistëve dhe nevojat që i kanë”, ka thënë Gashi.

Artikuj të ngjashëm