Portokallet padyshim që janë një nga frutat të cilat ofrojnë përfitime të shumta shëndetësore për trupin tuaj. Ky frut jo vetëm që ndihmon në forcimin e sistemit imunitar por edhe për të pasur një lëkurë të shëndetshme dhe me shkëlqim. Vitamina C, e cila gjendet me shumicë tek portokallet, është një lëndë ushqyese thelbësore për funksione të ndryshme trupore, përfshirë këtu edhe rritjen e flokëve.
Me ndihmën e Vitaminës C në prodhimin e kolagjenit, kjo vitaminë e tretshme në ujë rrit efektet anti-plakje në lëkurën e trupit dhe të kokës. Ajo forcon fijet e flokëve dhe i mban ato fleksibël dhe me shkëlqim. Falë formulës së saj acidike, Vitamina C mund të prishë lidhjet kimike të bojës, duke larguar kështu ngjyrën sintetike nga flokët tuaja. Shpëlarja e flokëve me lëng portokalli gjithashtu mban nën kontroll prodhimin e vajit, zbllokon poret në skalpin e kokës, duke parandaluar puçrrat dhe formimin e zbokthit.
Për të pastruar dhe zbutur flokët
Shpëlarja e flokëve me lëngun e lëkures së portokallit, është një ritual i shkëlqyer për pastrimin e tyre. Mjafton të zieni në ujë lëkurat e portokallit dhe më pas ta lini atë të qëndrojë për gjatë natës. Kulloni lëngun dhe përdoreni pas larjes me shampo. Dhe nëse dëshironi të krijoni një balsam, miksoni në një enë pak mjatë, qumësht dhe disa pika lëng portokalli. Më pas me këtë përzierje lyeni flokët dhe lëkurën e kokës. Mbas pak minutash, shpëlani kokën me ujë të ftohtë, për të ruajtur lagështinë e flokëve.
Maskë për flokët
Për të krijuar një maskë flokësh me portokall, bëni mirë të ruani lëkurat e tij. Vendosni lëkurat e portokallit në mikser dhe shtoni kos, vaj kokosi dhe lëng portokalli. Kur masa kremoze të jetë gati, lyeni flokët në të gjithë gjatësinë e tyre dhe më pas mbështillini. Lërini për 30 minuta dhe shpëlani kokën.
Konsumoni më tepër portokalle
Për flokë të shëndetshëm dhe të fortë, ju duhet të përfshini portokallet në regjimin tuaj ushqimor dhe në regjimin e kujdesit për flokët. Këshilla më e mirë është të pini lëng portokalli, të paktën një herë në ditë. Gjithashtu ju mund të shtoni portokalle në gatime të ndryshme, për të përmirësuar shijen e ushqimit por edhe për të përfituar më tepër prej tij./AgroWeb