Fama nga shumë persona perceptohet si një gjendje e përkyer në të cilën jetohet si në përalla. Megjithatë, sikurse edhe çdo aspekt tjetër, edhe ajo ka dy anët e saj të medaljes.
Një situatë e tillë në reflektim të raportit prindër – fëmijë u trajtua sot në emisionin ‘Familja Ime’ të Saranda Bujupi – Ramës në Klan Kosova.
Në program me mysafiret Shkurte Fejza, Gresa Behluli dhe Kaltrina Ajeti u diskutua se si është të rritesh nga një fytyrë publike.
Gresa tregoi se në fëmijërinë e saj është ndjerë mirë kur nga të tjerët është parë me syrin si ‘vajza e Shkurtës’. E ikona e muzikës së mirëfilltë tregoi se gjithmonë si synim ka pasur të mbajë jetën private hermetike nga rrafshi profesional dhe këtë është munduar ta transmetojë edhe tek vajza, Gresa.
Në lidhje me skandalet për të cilat përfliten shpesh disa prej artistëve, Shkurta tha se ajo shpeshherë bëhet për të kompenzuar mungesën e talentit me të cilën këta emra të caktuar përballen.
‘Shqiptarët janë pak në numër për një degjenerim të tillë siç po ndodh tek ne. Është gjynah sepse ne nuk jemi 80 milionë për me pasë raste të tilla’ – shtoi ajo teksa kritika të rrepta i adresoi edhe mediave.
E Kaltrina Ajeti nënvizoi faktin se iu mbetet fytyrave publike të menaxhojnë dhe kontrollojnë jetën e tyre marrë shkas nga fakti se të paktën portalet, momentalisht janë të lira të shkruajnë çfarëdo qoftë.
Debatin e plotë përfshirë me kronika mund ta ndiqni në videon e mëposhtme. /Prive.al