Viteve të fundit, gjegjësisht pas shpalljes së pavarësisë, në Kosovë filluan të dëgjohen debatet mes emërtimit shqiptar apo kosovar. Fillimisht, fjala ‘kosovar/e’ nuk është përdorur, të paktën jo mediatikisht sepse është shoqëruar gjithmonë me një konotacion negativ. Përceptimi ka qenë i tillë “kosovar/e = jo shqiptar/e” ndaj shpesh në referim përdoret ‘shqiptarët e Kosovës’.
Një debat i zjarrtë lidhur me këtë ka nisur në Instagramin e Dafina Zeqirit. Ka qenë ajo e cila ka postuar komplimentat e Rita Orës ndaj saj dhe Taynas për këngën “Bye Bye”. Rita Ora, në rrëfimin e saj, i quajti vajzat “Kosovan women” (vajza kosovare) dhe më pas, u përforcua nga komenti i Taynës e cila gjithashtu përdori këtë term.
Ndjekësit ia nisën menjëherë debatit lidhur me këtë teksa ishin të shumtë komentuesit nga Shqipëria të cilët shkruanin se termi ‘kosovare’ është përjashtues për ta dhe se nuk duhet të largohen nga përkatësia shqiptare sapo marrin famë.
Disa nga komentet ishin këto:
“Tash po i thoni vetes Kosovan Women a? Keni marrë pasaportat e Shqipërisë e me to po lëvizni nëpër shtetet e po boni biznes. Ahh interesi bre…” – shkruan një komentues.
“Tayna kur u bëre kosovare sapo u bëre e famshme?” – shkruan një tjetër.
“Shqiptare jo kosovare!” – thekson një tjetër komentues.
Ndërkohë nëse jeni kuriozë se si vazhdojnë mendimet e gjithsecilit, shkoni në profilin e Dafinës për të lexuar qindra komentet që po ‘vërshojnë’ sektorin e komenteve, dhe siç ndodh rëndom, komentuesit e kanë humbur temën e debatit dhe ofendimet ndaj njëri tjetrit kanë zënë vendin e arsyetimit konstruktiv.