“Policë për kokë” jep sonte premierën në Prishtinë

By

Dita e sotme shënon dhe rikthimin e një prej figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare në ekranin e madh, aktorit Arben Bajraktaraj, që është pjesë e kastit të filmit “Policë për kokë”, premiera e të cilit jepet sonte duke filluar nga ora 19:00 në Cineplexx, në Prishtinë.

Karriera e Arben Bajraktaraj është e mbushur me sukses dhe personazhe të paharrueshme, si Marko në filmin e kult ndërkombëtar “Taken”, ku luan antagonistin e personazhit kryesor të Liam Neeson. Mandej, Bajraktaraj fitoi zemrat e të gjithë të rinjve të dashuruar me sagën e Harry Potter, duke luajtur personazhin karizmatik Antonin Dolohov në krah të Helena Bonham Carter dhe Ralph Fiennes.

E pavarësisht kaq shumë sukseseve ndërkombëtare, ai gjithmonë ka qenë i pranishëm në prodhimet vendore të cilat kanë fituar çmime ndërkombëtare, si filmi “Ballkoni” nga regjisorja Lendita Zeqiraj, “Streha mes reve” nga Robert Budina, si dhe së fundmi seriali “Besa” i cili i ka dhuruar edhe çmimin prestigjoz “Heart of Sarajevo” gjatë Sarajevo International Film Festival në vitin 2022.

Më në fund, pas një pauze të gjatë në sallat e kinemasë, Bajraktaraj rikthehet me prodhimin më të ri shqiptar, filmin e zhanrit aksion-komedi “Policë për kokë”.

Personazhi i Arben Bajraktaraj, Ministri i Brendshëm, fillimisht na prezantohet si një figurë plot me integritet, por ngadalë teksa filmi zhvillohet, zbulojmë se e vërteta është shumë e ndryshme…

“Nga ky projekt më tërhoqi shumë intriga e skenarit, misteri i rrëfimit. Më impresionoi talenti dhe vizioni i skenaristit dhe regjisorit Aldo Marku, si dhe më tërhoqi shumë guximi i produksionit. Ky film është një prodhim 100% i pavarur, një nismë e cila është mjaft e rrallë në industrinë shqiptare” – u shpreh aktori, përcjell Klankosova.tv.

Në filmin “Policë për kokë”, Arben Bajraktaraj luan në krah të aktorëve të njohur Olsi Bylyku, Nik Xhelilaj, Alfred Trebicka, e shumë të tjerëve.

Historia e filmit – Njihuni me Xhino Pasmaçiun (Olsi Bylyku). Ai është një polic i thjesht trafiku që në jetë ka dy qëllime: të nderojë kujtimin e babait të tij të ndjerë dhe të flerë me të dashurën e tij lozonjare, Minën (Sara Kolami). Jeta e Xhinos do të kthehet përmbys kur ai e gjen veten papritur në mes të një hetimi policor shumë të rëndësishëm e goxha të rrezikshëm.

Së bashku me detektivin legjendar Maksimilian Murati (Nik Xhelilaj) ata do të kalojnë një aventurë plot të papritura në 48 orët më të paparashikueshme në botë.

Dy policë dhe një mision. Ata nuk janë shokë, por policë për kokë!

Artikuj të ngjashëm