Sezoni i ri televiziv solli shumë lëvizje në tregun mediatik shqiptar me theks të veçantë tek programet e humorit.
Gjigandi televiziv, Klan, tentoi të mbushë boshllëkun në këtë segment duke u ngarkuar me dy prurje të reja, ekipin e Duplex me në krye Julian Dedën që erdhën nga Vizion Plus dhe Bes Kallakun, Olsi Bylykun e Kimikatin nga “Portokalli”.
Largimi i këtij të fundit pas dy sezoneve në spektaklin numër një të humorit në Shqipëri u shoqërua me shumë reagime.
Plot e quajtën tradhëti për logon që i dha famën e të tjerë e panë gabim lëvizjen në një situatë kur kurba e karrierës njihte vetëm ngritje.
Por, tre muaj pas debutimit, cila është performanca e ‘BE Coffee’ nga Besi, Erioni dhe Olsi, si pjesë e programit ‘E diela Shqiptare’?.
Shifrat janë nën pritshmëritë. Treshja e humorit, rrugëtimin të vetëm pa ‘Portokalli’ si lokomotivë nuk po mund ta mbajnë në nivelet në të cilat jemi mësuar t’i shohim.
Përkundër se morën nga programi paraprak edhe skenaristin Vangjel Kozmai, performanca e rubrikës së tyre të humorit është e zbehtë.
Në Youtube, shikimet janë shumë larg skeçeve të dikurshme si pjesë e ‘Portokalli’. Emisioni i plotë në baza javore mezi kalon në shumicën e rasteve 100.000 shikime teksa edhe komentet nga fansat nuk janë më të mirat e mundshme.
FOTO: Krahasimi në Youtube i dy programeve
Kjo ka bërë që në puntatat pas vitit të ri, Besi, Erioni e Olsi të bllokojnë mundësinë për të komentuar në Youtube, ndryshe prej programeve të tjera në të njejtin kanal në Youtube – atë të televizionit Klan. Bllokimi i komenteve tingëllon si një tentativë e qartë për të shmangur kritikat e ashpëra nga publiku.
Evoluimi në program ku me doza satire preken fenomene të përditshme shoqëruar me formulën e tej-konsumuar të një bisede me personazh VIP duket se nuk po i shkon më së miri përshtati tre djemve.
Megjithatë, ka kaluar ende pak kohë dhe përpara se t’i kritikojmë, duhet të presim edhe pak teksa çunat të marrin veten sepse pavarësia artistike, nga një program i konsoliduar 15 vjeçar në një sipërmarrje të re, të vetëm, nuk është diçka e lehtë. Sidomos kur logon nuk e ke prapa si një lokomotivë që garanton sukses si në fillimet e karrierës. /Prive.al