Krenar Çoçaj del para gjyqit nën akuzën për cytje drejt vrasjes në “Zone Club”

By

Në gjykimin ku Krenar Çoçaj, Leonard Hajdari, Mentor Palokaj, Gramoz Mjeku e Burak Gërdovci po akuzohen se e sulmuan Shkëlzen Shalën dhe i shkaktuan lëndime të rënda Labinot Mehmetit, avokati Asllan Bilalli kishte kërkuar që seanca të shtyhej për një datë tjetër.

Avokati kishte treguar se ka probleme shëndetësore, të cilat do t’ia pamundësojnë praninë në seancë, ndërsa seanca u shty për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës, sulmi i pesë të akuzuarve ndaj të dëmtuarve Shkëlzen Shala e Labinot Mehmeti kishte ndodhur në janar të vitit 2015 në “Zone Club”.

Sipas aktakuzës, Leonard Hajdari e Mentor Palokaj me 2 janar të vitit 2015 në Prishtinë në lokalin-diskotekën “Zone Club”, paraprakisht janë marrë vesh me të akuzuarin tjetër Krenar Çoçaj që ta sulmojnë Shkëlzen Shalën, i cili në ato momente ishte takuar me Labinot Mehmetin.

Në bazë të aktakuzës, përleshja kishte filluar atëherë kur Leonard Hajdari e kishte shtyre dhe kishte provuar ta grushtonte Shkëlzen Shalën, pastaj edhe Krenar Çoçaj ishte vërsulur për ta goditur atë.

Në aktakuzë thuhet se me pas kishte intervenuar punëtori i sigurimit të objektit dhe e kishte ndaluar përleshjen, mirëpo Krenar Çoçaj kishte vazhduar të shqelmonte dhe kishte filluar të fjalosej edhe me punëtorin e sigurimit.

Në aktakuzë tregohet se Krenar Çoçaj e kishte kërcënuar edhe punëtorin e sigurimit Shkelzen Imeraj, të cilit i ishte drejtuar me fjalët “ka me të vra”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, përleshja kishte vazhduar dhe Mentor Palokaj e kishte kapur për flokësh Labinot Mehmetin, ndërsa Leonard Hajdari e kishte goditur me thikë Mehmetin dy herë në gjoks dhe një herë në abdomen, me qëllimin që ta privojë nga jeta.

Aktakuza sqaron se Hajdari nuk mundi ta çojë deri në fund privimin nga jeta të Mehmetit, pasi ndërhyri punëtori i sigurimit të “Zone Club”.

Pastaj, sipas aktakuzës, tash të pandehurit kishin ikur, ndërsa Labinot Mehmeti ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Në aktakuzë thuhet se shtytja në vrasje nga Krenar Çoçaj kishte ndodhur për shkak të një vajzeje.

Përveç Çoçajt që në këtë proces gjyqësor akuzohet për shtytje në vrasje, prokuroria i ngarkon Leonard Hajdarin e Mentor Palokaj për vrasje në tentativë, ndërsa Gramoz Mjekun e Burak Gërdovcin për pjesëmarrje në rrahje.

Krenar Çoçaj në një proces tjetër gjyqësor ishte dënuar për sulm ndaj Ledri Vulës. /Indeksonline.com

Artikuj të ngjashëm