Një program i përqendruar në histori reale shpesh di të jetë vështirë i menaxhueshëm.
Kjo për faktin se situatat mund të jenë të paparashikueshme.
Një gjë e tillë duket të ketë ndodhur në puntatën e fundit të programit ‘Dua të të bëj të lumtur’ me Arbana Osmanin.
Në promon paralajmëruese ishin të përfshira katër histori, teksa në transmetim, vetëm tre.
Një nga historitë është hequr përpara transmetimit, me gjasë shkaku i mospajtueshmërisë së shfaqur më vonë nga protagonistët.
‘Bashkëshorti vjen t’i kërkojë gruas që të mos flasë me burra të tjerë në Facebook’ – ishte përshkrimi i historisë në promo e cila nuk u transmetua.
‘Dua të të bëj të lumtur’ krahas komenteve pozitive dhe shikueshmërisë së lartë, këtë sezon është kritikuar në të paktën dy situata për cënim të privatësisë. E para kishte të bënte me zbulimin e identitetit të një rektoreje universiteti e cila refuzonte prej vitesh të shihte nënën e saj, teksa historia e dytë, po aq e komentuar ishte ajo e një djali që ftoi në studio një vajzë me të cilën kishte folur në Instagram. Vajza ishte e lidhur me dikë tjetër dhe një ekspozim i tillë përpara kamerës ishte i papërshtatshëm.
Pas talljeve masive në rrjet, edhe djali kishte kërkuar që historia të fshihej nga rrjetet mirëpo një gjë e tillë nuk u bë.
Duket se për të mos përsëritur situata të tilla, problemi i çiftit nuk u transmetua fare mbrëmjen që lamë pas. /Prive.al