Në edicionin e këtij vitit të këngës evropiane morën pjesë tre shqiptarë, Eugent Bushpepa që përfaqësonte Shqipërinë, Ermal Meta Italinë dhe Eleni Foureira që përfaqësonte Qipron.
Të shtunën u mbajt finalja e “Eurovision 2018”, në Lisbonë të Portugalisë e Shqipëria mori vendin e 11-të me radhë.
Edhe pse nuk u kualifikua në top 10-she, këngëtari Bushpepa ka marrë vlerësime shumë pozitive dhe u pëlqye nga publiku evropian.
Në listën e shteteve që zhgënjyen në vlerësimin e pikëve nuk kishte si të mos mungonte Gjermania, Zvicra, Maqedonia po ashtu edhe shteti fqinj Italia, ku dha 0 pikë për Eugentin.
E për këtë, kishte reaguar edhe këngëtari shqiptar Ermal Meta i cili përfaqësonte italianët në Eurovision.
“Sinqerisht nuk i kuptoj 12 pikët e jurisë italiane. Unë do t’ia kisha dhënë Shqipërisë. Eugenti ka një zë mbresëlënës”, ka shkruar ai në profilin e tij në Twitter, duke kritikuar vendin që përfaqësonte për mosvlerësim të Shqipërisë. /Prive.al