Liam Gallagher, Dua Lipa dhe Paul McCartney janë në mesin e 1.500 artistëve që kanë nënshkruar një letër të hapur duke kërkuar mbështetje për skenën e muzikës live në Mbretërinë e Bashkuar.
Ed Sheeran, Rolling Stones dhe Coldplay gjithashtu nënshkruan letrën drejtuar sekretarit të kulturës në Britani duke paralajmëruar ndikimin e Covid-19 në ambientet dhe muzikantët.
Në letër thuhet se industria e muzikës po përballet me “falimentime masive”, me koncerte dhe festivale që nuk ka gjasa të kthehen deri në vitin 2021, transmeton Klan Kosova.
Në letrën drejtuar Oliver Dowden kërkohet “afat i qartë, i kushtëzuar” për rihapjen e vendeve pa distanca sociale, mbështetje financiare dhe përjashtim të TVSH-së në shitjet e biletave.
E kësaj thirrje për ndihmë i bashkohet edhe Rita Ora. Në llogarinë e saj në Instagram ajo shkruan:
“Lonely Together (2019)
Tani për tani, e ardhmja për qindra mijëra njerëz që punojnë në muzikë live është e pasigurt. Jam shumë e nderuar të jem pjesë e thirrjes në Qeverinë e Britanisë për të mbrojtur arenat, festivalet dhe të gjithë ata që punojnë në sektorin live !!
Le ta tregojmë të gjithë mbështetjen tonë për njerëzit që kanë nevojë duke ngarkuar foto nga shfaqja e fundit ku shkuat me #LetTheMusicPlay dhe të dëgjohen!!” /Prive.al