Çfarë marrëveshje për kulturën do të nënshkruajnë Kosova dhe Shqipëria?

By

Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë plot shtatë marrëveshje në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në mbledhjen e sotme të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shpalosi marrëveshjet që do të nënshkruajë ministria dhe institucionet qendrore të kulturës.

Kalendari i Përbashkët Kulturor Vjetor, Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e Trashëgimisë kulturore dhe muzeve, Protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia janë marrëveshjet që do të nënshkruhen në fushën e kulturës e të trashëgimisë, si dhe Marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.

Ministrat Hajrulla Çeku dhe Elva Margariti nënshkruan Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

Kalendari, ndër të tjera, parasheh edhe menaxhimin kulturor dhe shkëmbimin e artistëve në fushat e ndryshme kulturore dhe atë të trashëgimisë.

Në fushën e bibliotekave parashihet Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë, konferenca shkencore për shënimin e 40 vjetorit të ndarjes nga jeta të Branko Merxhanit, 400 vjetorit të vdekjes së Pjetër Budit, 50 vjetorit të vdekjes së Krist Malokit.

Në fushën e filmit parashihet pjesëmarrje e përbashkët në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, në Festivalin e Kanës me shtand të përbashkët të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kinematografike Kombëtare, si dhe bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit.

Në bashkëpunimin mes teatrove, ansambleve dhe baleteve, parashihet realizimi i shfaqjeve “Carmina Burana”, në Tiranë, realizimi i shfaqjes “Monger” në Prishtinë, pastaj shfaqja e përbashkët “Gjerdani i Artë” midis Ansamblit Popullor dhe Ansamblit “Shota” në nderim të artisteve Nexhmije Pagarusha dhe Fitnete Rexha. Po ashtu, parashihen aktivitete në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” si dhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në Tiranë. Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë qershorit të vitit të ardhshëm do të paraqitet me shfaqje në Tiranë.

Sipas këtij kalendari, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku Muzeu Kombëtar do të realizojë dy ekspozita në Muzeun Kombëtar të Kosovës, do të botohet një katalog i përbashkët i dy muzeve “Arkeologjia e Shqipërisë dhe e Kosovës” si dhe do të realizohet punëtoria “Muzeu i komunitetit – Programet Edukative në Muzeun Historik Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës”. Po ashtu, do të realizohen vizitat dhe ekspozitat e përbashkëta në Berat si dhe koncerti me muzikë tradicionale popullore me artistë nga Vlora dhe Prizreni.

Ndërkaq, në Butrint, në dhjetor të vitit 2022 kur pritet të regjistrohet në listën e UNESCO-s, do të ketë aktivitete, konferenca e ekspozita të përbashkëta.

Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjilanit do të realizojnë ekspozita në Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër e Korçë. Edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës do të ketë katër aktivitete në Muzeun Kombëtar në Tiranë me organizimin e ekspozitave dhe programeve edukative.

Përpos kalendarit të përbashkët kulturor, ministrat Çeku dhe Margariti kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, e cila parasheh zhvillimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë përmes një kalendari të përbashkët ka filluar në vitin 2014 kur është nënshkruar për herë të parë një program i tillë.

Artikuj të ngjashëm