Është përfolur tash e disa ditë spektakli që i paraprin inagurimit të stadiumit të ri kombëtar ‘Air Albania Stadium’.
Nga pagesa për producentin Ardit Gjebrea tek lista e emrave pjesëmarrës, shumë u spekulua deri në produktin final – atë që pamë sot para ndeshjes me Francën për rreth 15 minuta.
Mirëpo, kushdo që priste spektakël me vulën e Gjebresë është zhgënjyer thellë.
Përkundër bujës së madhe, dukej se për asnjërin detaj nuk ishte menduar si duhet.
E para, mungonte një skenë e cila bëri që Flori Mumajesi, Aurela Gaçe dhe Era Istrefi të vrapojnë fushës me bar, taman si tifozë klandestinë që tentojnë të prishin ndeshjen për pak sekonda vëmendje.
Si të mos mjaftonte kjo, ndriçimi ishte skandal dhe nuk vërehej asgjë nga këngëtarët apo trupa e baletit që i shoqëronte. Kamerat e kishin të vështirë për të kapur ndonjë moment sepse atmosfera që përçohej ishte e ngjashme me atë kur ikin dritat duke ndikuar që të zbehet edhe madhështia e inagurimit të stadiumit nga nisja skandaloze.
(Pak ndihmë, në fotot e mësipërme supozohet të shfaqet performanca e Era Istrefit)
Hapja skandaloze në çdo detaj e ‘Air Albania Stadium’ me performancat e tre artistëve që kishin zero kushte për performancë ka bërë që të reagojnë në rrjete sociale edhe figura publike.
Alaudin Hamiti, moderator i ‘NIN’ në Klan Kosova ka bërë mes tjerash edhe një status që përmbledh me pak fjali zhgënjimin e pësuar nga intervali 15 minutësh i asaj që u nis si shou dhe përfundoi në një dështim të parë nga miliona shqiptarë përmes ekranit.
RIFRESKIM: Derisa shkruam artikullin, mësuam se ka shpërthyer edhe sistemi i ujitjes në stadium duke lagur një pjesë të tifozëve në tribunat e stadiumit. Mund të shkonte më keq se kaq? /Prive.al