Së fundmi, një fotografi e aktorëve Vedat Bajrami dhe Mensur Safqiu ngjalli në rrjet dyshimet për një ribashkim të dyshes, që dikur bashkë me Osman Azemin ishte një super-trio humoristike.
Teksa Azemi është angazhuar tashmë me projektin e suksesshëm “Akshami me Gjylën” u mendua se mos dy aktorët e tjerë nga “Stupcat” po vijnë me një serial bashkë.
Prive u interesua për të kuptuar më tepër sa i përket këtij zhvillimi.
Është e vërtetë që Vedati dhe Mensuri do të bashkohen për një projekt, mirëpo nuk bëhet fjalë për diçka të kategorisë së serialeve humoristike në të cilat jemi mësuar t’i shohim.
Burimet tona precizuan se ata do të punojnë në një film të zhanrit komedi, i cili ka karakter rajonal, duke mos u përqendruar vetëm në Kosovë apo Shqipëri por edhe vendet tjera të Ballkanit.
Ndërkohë për të dy, vijojnë angazhimet personale në tregun turk të kinematografisë.
Përmes rubrikës “E vërtetë, e pavërtetë” zbuluam se Safqiu vjen së shpejti me një rol në një serial turk i cili do të jetë pjesë e platformës Netflix. /Prive.al