“Capital T, Time Capsule” (CTC), ishte koncerti i parë gjigand i reperit në shumë vite karrierë; si i tillë ishte ndërtuar si një udhëtim në kohë, në të shkuarën dhe të ardhmen e muzikës së tij.
Koncerti që u mbajt rezultoi që të jetë shumë i suksesshëm dhe një hap përmbushës në karrierën e artistit.
Shumë shpejt pritet edhe albumi i 4-t me radhë nga Kapo. Në këto kohë kur artistët nuk publikojnë albume, Capital T mendon se albumi është diçka esenciale për një artist.
“Unë mendoj që albumi është diçka thelbësore, një bazament për trashëgiminë e një artisti. Një artist duhet të vlerësohet në bazë të albumeve që i ka. Albumi është si një lloj storie, si një film si një libër përmes muzikës.” – pati thënë Capital T i ftuar në NIN, duke mohuar të ndjekë trendet momentale të muzikës si kjo e publikimit të këngëve të reja çdo muaj.
E teksa ai po përgatitet t’u dhurojë fansave atë që kanë pritur që sa kohë, albumin e ri Capital T po i ‘ngacmon’ edhe për një koncert të dytë, i tillë si ky i vitit të kaluar.
Kjo vjen si rrjedhojë e një postimi të tij në llogarinë në Instagram, ku rikujton koncertin me disa pamje vizuele, dhe ngrit pikëpyetje për një koncert të dytë.
Gjithsesi, sipas reperit do vijë “kur të jetë koha e duhur”. Tani për tani me kaq duhet të mjaftohemi, sepse i tillë është Kapo, gjithnjë me surpriza! /Prive.al