Në këtë kohë të pandemisë izolimi ka rezultuar të jetë i vështirë për shumë, marrë parasysh edhe distancimin social.
Mirëpo platforma sociale Instagram, ka ndërtuar një opsion të ri brenda vetë aplikacionit, në mënyrë që të jemi sa më afër me miqtë dhe familjarët tanë.
Tani mund të bëni ”scroll” në Instagram dhe të shihni gjërat që normalisht i shihni vetëm, bashkë me miqtë tuaj, duke e kthyer eksperiencën pasive të izolimit në diçka më sociale dhe aktive. Ky opsion quhet ”Co-Watching” dhe lejon miqtë në një video chat apo në një video të një grupi, të shohin të njëjtat postime në ”feed”, postime këto që mund t´i ketë pëlqyer apo ruajtur njëri prej personave ose që jua rekomandon vetë Instagrami. Pra e gjeni si opsion tek mesazhet e rrjetit social, ndryshe ”Direct Messages”.
Praktikisht ”Co-Watching” bën të mundur që të argëtoheni, të qeshni ose të komentoni bashkë me të tjerët, gjërat që zakonisht i shihni vetëm dhe mbi të gjitha shmang atë momentin kur i nisni dikujt diçka në Instagram dhe thotë “Nuk më del se nuk e ndjek këtë faqen”. Ky opsion është testuar prej një viti nga programuesit e rrjetit social, megjithatë pas lansimit do të shohim nëse funksionin ashtu si ata kanë parashikaur dhe mbi të gjitha a do ta respektojë si duhet privatësinë e përdoruesve.
Së bashku me këtë janë lansuar dhe një sërë të rejash të tjera në këtë aplikacion, veçanërisht për të sensibilizuar njerëzit për kujdesin dhe masat që duhet të marrin ndaj Koronavirusit. Përveç sticker-ave që i kujtojnë njerëzve në çdo moment të qëndrojnë në shtëpi dhe të lajnë duart, Instagram po kujdeset që të eleminojë çdo lajm të rremë apo llogari që shpërndan informacione të pakonfirmuara rreth pandemisë.
Gjithsesi ”Co-Watching” nuk është përfshirë në rrjetin sociale vetëm për këtë periudhë, por mendohet se do të ndryshojë eksperiencën e përdoruesve në një kohë afatgjatë