Diamantët janë miqtë më të mirë të një vajze!
Prandaj, edhe nuk është aspak çudi që yjet duan të shkëlqejnë në tapetin e kuq, jo rrallë herë edhe me bizhuteri që kanë vlerë miliona dollarë.
Por, ndonëse është e rrallë të shohim fytyrat e njohura me bizhuteri të njëjta, qaforja me diamantë nga Le Vian – që kushton hiç më pak se 2 milionë dollarë – duket se bën përjashtim.
Ishte Ariana Grande ajo që u pa fillimisht me të në MTV Video Awards në vitin 2016.
Në muajin tetor të vitit 2019, Jennifer Garner është parë me të njëjtën qafore që ka plot 65 karatë në një ngjarje gala – derisa së fundmi Camila Cabello e kishte kombinuar qaforen e mbushur me diamantë me fustanin seksi të Atelier Versace në Grammys.
Derisa Cabello dhe Garner e kishin lënë qaforen – që ka disa radhë të diamantëve – të merrte gjithë vëmendjen duke e kombinuar me fustane të zeza, Grande kishte zgjedhur një stil më ‘alla Marilyn Monroe” duke veshur një fustan ngjyrë rozë të kombinuar me një peliçe të bardhë.