Unikkatil ishte goxha aktiv këtë verë me një koncert të madh në Mitrovicë dhe performanca që pasuan për herë të parë në qytetet kryesore të Kosovës.
Megjithatë, mos u çuditni nëse ai rikthehet sërish me një koncert në Prishtinë brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Këtë e ka lënë të kuptohet një postim i kompanisë ‘Powow Entertainment’ e cila e solli për herë të parë reperin në Kosovë në vitin 2012 në koncertin të cilit nuk po mund t’i afrohet asnjë tjetër nga masiviteti dhe madhështia e organizimit.
Faqja zyrtare e kompanisë e cila është joaktive për vite të tëra ka postuar një fotografi të reperit me Albin Gashin (drejtor i dikurshëm i Powow) i cili garon për deputet dhe kandidatin për Kryeministër, Albin Kurtin nga po e njejta listë.
Foto e vitit 2012, e papublikuar më herët është shoqëruar me një përshkrim ku thuhet: ‘Fotoja është bo pak para koncertit në Prishtinë në vitin 2012. Viktori i thojke Albinit: S’ka ma të fortë se na’.
Mes tjerash është lënë mundësia e riorganizimit të koncertit në stadium në rast të fitores së LVV.
‘Po i shtim dy Albinat të na binë Unikkatilin prapë n’stadium t’Prishtinës për festën e Vetëvendosjes mas 6 Tetorit’ – përfundon postimi në faqen zyrtare të kompanisë.
Unikkatili, përkundër zërit kritik ndaj pushtetarëve nuk ka qenë asnjëherë haptazi i pozicionuar me ndonjë subjekt politik. I vetmi qëndrim i kësaj natyre i shfaqur publikisht së fundmi ishte ai në Mitrovicë kur u deklarua kundër politikanëve që ‘duan ta ndajnë Kosovën’ teksa takoi edhe Kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinajn. /Prive.al