Tuti Sejdiu flet pas “Miss Universe”: “Rezultatin, nuk është që…”

By

Mbrëmë pas mesnate u zhvillua në Izrael edicioni i 70-të i “Miss Universe”.

Në një organizim që u transmetua ekskluzivisht në Kosovë përmes Klan Kosova dhe kanalit Prime të platformës Artmotion, audienca kosovare pati mundësi të shohë eventin e zgjedhjes së më të bukurës në botë, indianes Harnaaz Sandhu.

Pjesë e garës ishin edhe dy bukuroshe shqiptare, Miss Universe Kosova, Tuti Sejdiu dhe Miss Universe Shqipëria, Ina Dajçi.

E kontaktuar nga Prive.al, pas përfundimit të aventurës, Tuti u shpreh:

“Kjo përvojë ishte e mrekullueshme për mua pasi që jam përgatitur shumë për ta përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme edhe pse nuk dolëm me fitore pasiqë gara ishte shumë e fortë dhe sfiduese. Numri i konkurenteve ishte 80 dhe kurora do t’i takonte vetëm njërës, e cila ishte Miss India, të cilës i uroj suksese”.

Tuti qëndroi për afro dy javë në Izrael me përfaqësueset nga e gjithë bota.

“Më së shumti më la përshtypje raporti që kishim me vajzat edhe pse për një kohë të shkurtër arritën që gjithmonë ta mbështesim njëra-tjetrën, gjë e cila është shumë e rëndësishme, sidomos për mesazhin që duhet përçuar nga vajzat. Të jemi krah të njëra-tjetrës është fantastike” – shtoi Tuti.

“Miss Universe” klasifikimin e ka deri në top 16, renditje në të cilën nuk u gjendën as Tuti e as Ina Dajçi.

“Sa i përket rezultatit, nuk është se prisja për arsye se shtetet europiane gjithmonë janë ato që zgjedhen më pak mirëpo theksoj që pjesëmarrja ishte një përvojë shumë e veçantë për mua e cila më ka përgatitur shumë për projektete të cilat do të vijnë në vijim. Uroj që Kosova poashtu edhe Shqipëria në vitet në vijim të jenë në top klasifikimet sepse i kemi vajzat më të bukura, gjë e cila nuk duhet të vihet në pikëpyetje asnjëherë” – përfundoi bukuroshja.

Kosova në event është përfaqësuar nga viti 2008, me Miss Zana Krasniqin si përfaqësuesen e parë. Ajo pati shënuar një ndër rezultatet më të mira duke u renditur në top 10, teksa pozicionimi më i mirë është ai i Marigona Dragushës në 2009-ën si përcjellësja e dytë.

Dy herët e tjera (dhe të vetme) deri tash kur Kosova është ranguar në top 16-she janë vitet 2011 dhe 2012 me përfaqësimin e Afërdita Dreshajt, respektivisht Diana Avdiut. /Prive.al

Artikuj të ngjashëm