Skandaloze: Si përbuzen luftëtarët kosovarë në ‘Klanifornia’? (VIDEO)

By

Në tentativën e tretë brenda dy sezoneve për të krijuar programe humori që do të rezultojnë sukses për publikun, në Klan nisi javën e kaluar ‘Klanifornia’.

Spektakli që derivoi si shkrirje e dy programeve që pas debaklit spektakloar mezi shtynë një sezon në transmetim u promovua me pompozitet shkaku i ndryshimeve të bëra.

Për të fortifikuar suksesin, krahas bashkimit të aktorëve, skenaristëve u mendua edhe një formulë e re me prezantuese Marina Vjollcën teksa nuk u harruan as blerjet nga konkurenca.

Por, cili ishte rezultati i gjithë kësaj tentative? Tani për tani, një zero me bisht.

Premiera e programit ishte zhgënjim për shikuesit nga të gjitha detajet.

E para, skenografia e cila ngjante në Portokallinë e 15 viteve më parë. Me një ndriçim të zbehtë, të qeshurat e shtuara në montazh, ‘Klanifornia’ ngjante në gjithçka përpos në një program humori që synon të përçojë gjallëri.

Kritikat u rikthyen edhe për Marinën në vazhdën e të njejtave me ato të ‘C’est la vie’. ‘

‘Skena e madhe dallon nga ajo e ‘Procesit Sportiv’  por nuk është e thënë medoemos që të bërtasësh pa takt’ – shkruante një prej komentuesve teksa komentet më pas në Youtube u bllokuan, si për ‘Duplex’ dhe ‘BE Coffee’ sezonin e kaluar.

E ‘qershia mbi tortë’ ishte njëri prej skeçeve debutuese të aktores Delinda Disha. Shkëlqimi i ndërtuar ndër vite në programin tjetër ku asnjë fjalë nuk lejohet të thuhet rastësisht u ‘zhvesh’ që në paraqitjen e parë me rolin skandaloz të Shotë Galicës.

Në një prej pjesëve të rolit, Delinda e cila në tentativën e saj amatoreske për të kopjuar të folurën gegërishte të kosovarëve ngjante në një serbe që tenton të flasë shqip përbuzi luftën e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

‘Burrat e Kosovës njihen vetëm për ahengje dhe valle, ndërsa serbit nuk i kanë bërë asgjë tjetër pos që i kanë thurrë këngë dhe lavde’ – u shpreh ajo, mbase e pavetëdijshme për atë që kishte memorizuar përmëndësh.

Fjalia ‘Shumë zhurmë për asgjë’ ngjason në kompliment për këtë prodhim televiziv i cili nëse nuk këndellët pas debutimit të turpshëm e skandaloz meriton as më pak e as më shumë se bojkot në vazhdim. /Prive.al

Artikuj të ngjashëm