Pak ditë më parë, këngëtarja Dafina Zeqiri bëri debutimin zyrtar përtej oqeanit.
Muaj të tërë punë u kurorëzuan me ‘Four Seasons’ që erdhi me videoklip në datën 8 Mars ku falë lidhjeve me producentët e Dafinës, u shfaq edhe French Montana.
Nga ajo periudhë, në prag të mbushjes së një jave nga publikimi në Youtube, kënga nuk ka arritur të shkelë milionin e parë të shikimeve.
Megjithatë, ‘Four Seasons’ ka arritur të ketë një vëmendje periferike në disa prej portaleve si ‘The Fader’ e ‘Vibe’ që kanë elaboruar në pika kryesore tentimin e Dafinës për debutim në tregun ndërkombëtar.
E ajo që ka lënë përshtypje është mënyra se si po tenton ta ‘shesë’ imazhin Dafina nëpër artikujt e mediave amerikane.
Këngëtarja vazhdimisht po trumbetohet si artiste nga Suedia, madje në ‘The Fader’ edhe si emër që ka kapur majat në top-listat e këtij shteti, fakt për të cilin nuk janë në dijeni të ketë ndodhur ndonjëherë njerëzit që e ndjekin. Fakti se Dafina ka kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën në shtetin skandinav është i pamohueshëm mirëpo epiteti i një ylli as për së afërmi nuk lidhet me Suedinë.
Duke qenë se stafi i PR-it është ai që e ndërton imazhin e Dafinës nëpër artikujt e lartëcekur dhe asnjë fjali nuk është e rastësishme, s’dihet saktë se pse Kosova si vend i origjinës ku këngëtarja ka shkëlqyer në karrierë po eklipsohet në mënyrë të hapur. Ajo që mund të thuhet sigurtë është se kjo ka habitur jo pak ndjekësit në rrjete sociale.
Ndryshe, shumica dërmuese e përkrahjes për Zeqirin qoftë në shpërndarjen e projektit ‘Four Seasons’ qoftë në klikime tek kanali ku deri dje janë publikuar projektet shqip, vijnë nga Kosova dhe Shqipëria të cilave i rikthehet kohë pas kohe për të mbushur xhirollogaritë me koncertet e shumta.
Shtrohet pyetja, a duhet vlerësuar baza e fortë e fansave shqiptarë që përbën shtyllën e Dafinës së tanishme? Ne themi se po! /Prive.al/