Sot pasdite në pallatin ikonik të Venerias në Torino është duke u zhvilluar ceremonia e “tapetit të kaltërt” ku artistët e 40 shteteve pjesëmarrëse në Eurovision do bëjnë hapjen e edicionit të sivjetmë.
Sigurisht, Ronela Hajati nuk mungoi aty madje duke u siguruar që të marrë vëmendjen me veshjen nga dizajneri kosovar Festim Isufi.
Këngëtarja kishte zgjedhur një veshje tejet unike, shoqëruar me një kapelë po kaq të veçantë duke i dhënë ngjyra një dite me mot të zymtë në Torino.
Një detaj që mori vëmendjen ishte shiriti me ngjyrat e ylberit, përmes së cilës formë, këngëtarja duket të ketë zgjedhur të shfaqë e njëkohësisht edhe të ketë përkrahjen e komunitetit LGBTIQ+.
Detaji u pikas nga prezantuesit të cilët u shfaqën të habitur nga veshja krejt unike e Ronelës, ndonëse siç e cekën vetë, ajo gjithmonë vjen ndryshe.
Këngëtarja në fjalën e saj mes tjerash u shpreh:
“Kjo është një ëndërr e madhe për secilin artist, një prej skenave më të mëdha në Europë në të cilat mund të performosh. Dua ta respektoj skenën e kësaj mundësie jetësore të cilën nuk dua ta çoj dëm”.
Hajati u shpreh se është 100 përqind e sigurtë që çdo gjë do të shkojë mirë në kuadër të hapjes së festivalit. Ajo do jetë e para artiste që do të performojë në gjysmëfinalen e parë.
Ronela erdhi me një intervistë ekskluzive për Prive në edicionin e së premtes në një ditë me prova e angazhime të tjera për të sjellë në skenë më të mrën e mundshme./Prive.al