U përfol se programi jashtëzakonisht i suksesshëm televiziv, “Hell’s Kitchen”, i cili nxori në pah edhe një anë të panjohur të shefit më të famshëm shqiptar të kuzhinës, “egërsinë” e tij që e pamë thuajse ndaj çdo konkurrenti gjatë edicionit të parë të “Hell’s Kitchen”, mund të zhvendosej në një ekran tjetër, por Renato Mekolli ka sqaruar çdo gjë përmes një statusi në Instagram.
Ndonëse “trembi” çdo konkurrent, theu aq shumë pjata, bëri aq shumë debate me pjesëmarrësit e edicionit të parë, Mekolli arriti të mbërthente audiencat televizive në ekranin e Top Channel, e pikërisht këtu do të vijojë edhe edicioni i dytë i formatit tejet të ndjekur. Kjo, pasi sjellja e tij ishte thjesht përshtatje ndaj formatit dhe me sa duket ia ka dalë mbanë të jetë i suksesshëm.
“Në Top Channel, ‘Hell’s Kitchen Albania 2’. Nëse marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe angazhimi për 2 emisione në vit është maksimal nga të dy palët, nuk ka arsye për lëvizje drejt një televizioni tjetër, apo jo? Kjo përgjigje publikohet për shkak të ‘zhurmave’ dhe pikëpyetjeve të ditëve të fundit, nëse jam në bisedime me ‘Tv Klan’ për ndonjë projekt të ri televiziv. Gjithmonë ka pasur bisedime dhe do të ketë gjithmonë, miqësore sigurisht. Por për projektet e mia televizive, vazhdoj në ‘Top Channel’. Faleminderit”, shkruan Mekolli në “Instagram”.
Ndaj, përgatituni!
Sepse siç Renato e deklaroi edhe përmes spotit publicitar në takimin e fundit të edicionit të parë, sezoni i dytë i “Hell’s Kitchen” do të jetë edhe më i frikshëm sesa i pari!