Sonte mbaron sezoni i parë i “Hell’s Kitchen”, programit që për 12 javë transmetim në Top Channel shkaktoi shumë diskutime.
Formula e programit, e paparë më herët, reagimet e impulsiviteti pa dorashka bënë që ky format gatimi nga Renato Mekolli të ndiqet goxha.
E pak orë para përmbylljes së sezonit të parë, Shef Renato në një shkrim autorial në portalin e tij www.renatomekolli.com ka rrëfyer për eksperiencën por edhe planet e mëtutjeshme.
Teksa falenderon stafin, nga Drejtori Blushi për besimin e më poshtë, Mekolli e ka konfirmuar që do sjell së shpejti një format me fëmijët por nuk do të mungojë as sezoni i dytë i “Hell’s Kitchen”.
Sidoqoftë, ajo që ka lënë përshtypje është fakti që Renato nuk e ka definuar se ku do zhvillohen këto projekte televizive përgjatë 2019-tës.
“Hell’s Kitchen 2 po vjen me një studio gjigande e me një skenografi moderne, ashtu siç vërtetë e meriton ky reality show.” Me kaq është mjaftuar Shefi i cili duket se preokupim primar e ka skenografinë për sezonin pasues.
(lajmi vijon nën video)
I pyetur nga Prive.al nëse do ndërrojë televizion meqenëse kësaj pjese i shmanget në editorial, Shefi është shprehur: “Do jem aty ku jepet maksimumi, aty ku skenografia dhe vëmendja do jetë në maksimum.”
Me këtë përgjigje evazive, Mekolli duket se në një formë e konfirmon lëvizjen.
Nuk do të ishte çudi që Renaton ta shohim në Klan. Ekrani i madh tashmë njihet për filozofinë e grumbullimit nga konkurenca të asaj që sheh të gatshme dhe me suksesin e formatit, “grabitja” mund të ndodhë. Sidoqoftë, për një gjë të tillë na duhet të presim edhe pak për të konfirmuar.
Kujtojmë që në Top Channel, senzacioni “Hell’s Kitchen” u amplifikua në vëmendje edhe në skeçet e “Portokalli” të cilat këto muaj, kanë qenë më të ndjekurat edhe online./Prive.al