Kanë kaluar gjysmë dekade në përgatitje, por albumi i tretë i Rita Orës është pothuajse i gatshëm për publikun.
Albumi i saj i tretë që nga ai i fundit “Phoenix” i cili u publikua në vitin 2018, do të njoftohet zyrtarisht me detaje në ditët në vijim dhe do të publikohet në kulmin e verës.
Tabloidi britanik The Sun mund të zbulojë se Rita Ora ka kompozuar ose bashkë-kompozuar çdo këngë në album, i cili mes të tjerash përmban një këngë të quajtur “Notting Hill” ku ajo reflekton mbi jetën e saj para famës.
Një burim tha: “I gjithë albumi është super personal në vend që Rita thjesht të vendosë emrin e saj në këngët rreth dehjes në klube”.
“’Notting Hill’ është vërtet reflektuese. Ajo këndon duke bredhur rrugëve të Londrës Perëndimore me miqtë e saj ndërsa ëndërron të arrijë kohën e madhe të famës”.
“Këngët e tjera në disk, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me gjetjen më në fund të dashurisë së saj të vërtetë, bashkëshortit Taika Waititi, quhen “The One”, “Shape of Me” dhe “Don’t Think Twice”.
“’Girl In the Mirror’ është një himn i dashurisë për veten për të gjetur paqen e brendshme dhe më në fund të qenit të lumtur në lëkurën tuaj”, tregoi burimi referuar një tjetër kënge të albumit.
Në vargjet emocionale Rita dëgjohet duke kënduar: “Të kam tradhtuar në mënyrën më të mirë/ Me dikë që kam njohur gjithë jetën. Unë e di që nuk mund të më falësh / Por kjo duket shumë e drejtë”.
Të mërkurën, Rita do të publikojë këngën e dytë nga albumi në ardhje, “Praising You” në bashkëpunim me Fatboy Slim – emri i vërtetë i të cilit është Norman Cook.
Kënga është një ripërpunim i hitit “Praise You“ të vet DJ-it i publikuar në vitin 1998.
Videoja me buxhet të madh për këngën është realizuar nga regjisori dhe aktori i famshëm i Hollywoodit, Taika Waititi – i cili njëherësh është bashkëshorti i saj.
Duke biseduar për këngën, Rita tha: “Për të marrë jo vetëm vulën e miratimit të Norman, por edhe për të bashkëpunuar me të dhe për t’i bërë homazhe një kënge kaq masive nga fëmijëria ime ishte vërtet një përvojë surreale”.
“Mendoj se kjo këngë do të thotë diçka ndryshe për të gjithë, por nga këndvështrimi im, ka të bëjë me lavdërimin e të dashurit tuaj dhe me të vërtetë festimin e atyre marrëdhënieve”.
“Jam jashtëzakonisht e nderuar që kemi marrë frymë të re në këngë dhe ia prezantojmë atë një brezi krejt të ri”.
Bashkëpunimi surprizë erdhi pasi Rita dhe Norman u takuan rastësisht me njëri-tjetrin në prapaskenë në festivalin “Glastonbury”.