Lindita Halimi nuk ka arritur të kualifikohet në fazën e rradhës së American Idol.
Në një ballafaqim me afro-amerikanen La’Porsha Renae, treshja e jurisë vendosi që në 24-shen më të mirë të spektaklit, të shkojë e dyta dhe jo shqiptarja nga Kosova.
Linda interpretoi shkëlqyeshëm ‘Bang Bang’, një këngë mjaft e vështirë, por kjo nuk mjaftoi që juria të vendosë ndryshe. Jennifer Lopez dhe anëtarët e tjerë që dhanë verdiktin, pas kumtimit të emrit që shkon tutje u shprehën se ishte një vendim tejet i vështirë.
Dy konkurentet, u ndanë duke u përqafuar teksa La’Porsha Renae e këshilloi Lindën që të vazhdojë të këndojë edhe më tutje.
E shqiptarja nga Kosova përmes një postimi në Facebook u shpreh se është mirënjohëse për stafit dhe gjatë kësaj periudhe falë American Idol ka marrë oferta marramendëse që nuk i kishte menduar asnjëherë më parë në muzikë dhe fitness.
Ajo shtoi se shumë shpejt do publikojë bashkëpunimin me një superstar të hip-hopit që si single do i paraprijë albumit të saj ndërsa për karrierën e Lindës do përkujdeset një ekip profesional.
Ndryshe, kjo fazë e programit që skualifikoi Lindën, edhe kësaj here ishte objekt i kritikave nga shikuesit që nuk preferojnë përplasjen e vokaleve më të fuqishëm thjesht për t’i dhënë rrjedhës së spektaklit dozë dramaciteti. /Prive.al/
https://www.youtube.com/watch?v=A4kjTvdWbOk