Si rrjedhojë e pandemisë shumë aktivitete janë pezulluar, ndër to edhe shfaqjet në teatër.
Mirëpo teatri ka gjetur një mënyrë tjetër që të zhvillojë artit e tij dhe të argëtojë adhuruesit.
Do të organizohen shfaqje live të cilat mund t’i ndiqni në komoditetin e shtëpisë tuaj.
Me një komunikatë në llogarinë zyrtare të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Facebook, shkruan:
“Të dashur adhurues të teatrit,
Me repertorin e pezulluar, premierat e shtyera, provat e anuluara, me mbylljen e teatrit për një kohë të pacaktuar, aktorët, punëtorët dhe menaxhmenti i Teatrit Kombëtar i Kosovës, ndihet në faj dhe i pafuqishëm që nuk është me ju në çdo mbrëmje në sallën e TKK-së. Nuk jemi bashkë që të ndajmë të qeshurat e hareshme nga komeditë e repertorit tonë, të ndajmë emocionet, përjetimet, dhimbjet, lotët, por edhe momente gëzimi, ashtu siç bënim përnatë. Të ndjerë gati të pa forcë, por jo të dorëzuar, edhe ne edhe ju, jemi ngujuar nëpër shtëpitë tona duke respektuar shëndetin e njëri tjetrit por edhe shtetin në përgjithësi. “Mos pyet çfarë ka bërë shteti për ju, por çfarë keni bërë ju për shtetin?!”. Institucionet shtetërore nuk kanë kërkuar kurrë më pak prej nesh, vetëm të qëndrojmë në shtëpitë tona. Mirëpo le ta dijë COVID-19; le ta dijë edhe shteti por edhe secila forcë tjetër, se nuk mund ta ndalin teatrin. Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht.
Në pamundësi për të qenë bashkë me ju çdo mbrëmje në sallën e teatrit, ne do të sjellim teatrin nëpër shtëpitë tuaja.
Këtë të premte (03.04.2020), në ora 20.00, në faqen e Facebook-ut, të Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të sjellim (livestream) superkomedinë “I ligu për mend”, nga Gjergj Fishta, me regji të Altin Bashës.
Ndërsa ditën e shtunë (04.04.2020), në ora 20.00 për ju do të shfaqim një nga produksionet tona më të mira të mjeshtrit të madh Ëilliam Shekspeare “Tregtari i venedikut”, me regji të Matheë Lenton. Dhe kështu do të vazhdojmë edhe gjatë javëve që vijnë.
Jemi me shpresë se kjo praktikë të dështoj sa më shpejtë dhe së bashku t’i rikthehemi shtëpisë sonë të shenjtë, TEATRIT.”