Filmi “Exil” me regji të Visar Morinës do të jetë pjesë e edicionit të 78-të të “Golden Globes”. “Exil” do të konkurrojë në kategorinë e filmave të huaj dhe kjo është hera e parë që Kosova bëhet pjesë e këtij konkursi të rëndësishëm.
Artikulli i Golden Globes thekson se filmi është pjesërisht autobiografik dhe tregon kohën kur Visari ishte 15 vjeç dhe emigroi në Gjermani. Ndërsa sipas regjisorit, filmi paraqet diçka më universale se sa përvojë e tij personale si emigrant.
“Exil” është një përpjekje për të zgjuar pasiguritë e jetës dhe arsyet e mikroagresioneve. Xhaferi, një kosovar që jeton në Gjermani, gjen një mi të ngordhur, të cilin dikush e ka lënë të varur në derën e tij të përparme. I irrituar nga rutina e tij e ashpër në punë, Xhaferi mendon dhe përpiqet të zgjidhë misterin dhe arsyet pse dikush do ta bënte atë gjë. Ai përpiqet ti fajësojë të gjithë; nga politika e zyrës deri tek disa nga qëndrimet e kolegëve të tij, por ai nuk mund të gjejë një arsye. Bashkëshortja e tij mendon se e gjithë kjo duhet të jetë shaka e dikujt.
Vitin që lamë pas Exil-i pati premierën botërore në Sundance dhe atë evropiane në Berlinale, për të fituar më vonë ‘Zemrën e Sarajevës’, çmimin kryesor të festivalit të Sarajevës. Në tetor filmi i Visar Morinës u zgjodh si propozimi i Kosovës për kategorinë Best International Feature të Oscars.