Muzika e mirëfilltë nën hijen e “komerciales”

By

Muzika është pjesë e përditshmërisë së secilit prej nesh, por me kalimin e kohës edhe ajo ka pësuar ndryshime si nga mënyra e të shkruarit të teskteve, ashtu edhe nga ajo e të punuarit të saj.

Ajo që është “trendi”dhe komerciale po vazhdon të dominojë tregun në Kosovë, por shqetësuese mbetet mungesa e festivaleve dhe shuarja thuajse e të gjitha zhanreve muzikore, gjë që po bën të dominojë muzika komerciale.

Producenti i muzikës Andin Randobrava, ka thënë për Klankosova.tv se problemi më i madh është se ekziston një disbalanc mes stileve muzikore që po kultivohen tek ne.

“E kam thënë disa herë se problemi më i madh tek ne është se nuk kemi balancim të stileve muzikore të cilat po kultivohen, pasi duke e parë atë çfarë ndodh sot,  të krijohet  përshtypja sikur është duke u bërë vetëm një zhanër muzikor, edhe pse nuk kam asgjë kundër muzikës komerciale duket sikur jemi bërë shumë të mirë si “komrecialistë” dhe shumë më pak duam të jemi “artistë”, thotë Randobrava.

Ai shton se nëse duam që muzikën ta krijojmë si art duhet që të jemi shumë më të organizuar edhe në aspektin institucional e kulturor.

“Qe 20 vjet nuk kemi sallë të koncerteve, më nuk mbahen as festivale nëse duam që muzikën ta krijojmë si art ashtu siç edhe duhet të jetë këto gjëra duhet të funksionojnë” shprehet producenti.

Se nuk  ka shumë balancë  në muzikën  tonë e thotë edhe kompozitori Besim Baftiu sipas të cilit muzika komerciale po merr më tepër edhe vëmendjen e mediave prandaj sipas tij ajo edhe po përçohet më shumë tek publiku.

“Ka shumë arritje për sa i përket produksionit të muzikës, por çështja e muzikës komerciale më shumë lidhet më atë se çka mediumet po transmetojë,  dhe kushtimisht e bëjnë një këngë hit dhe vetëm ajo transmetohet, duke u lënë anash pjesa tjetër e krijimeve, duhet të ketë më shumë hapësirë edhe për zhanre tjera muzikore” ka thënë kompozitori Besim Baftiu për Klankosova.

Kompozitori Miti Geci thekson se në të kaluarën muzika është punuar më mirë se tani.

“Nëse e vlerësojmë cilësinë e këngëve të cilat janë bërë më herët për nga përmbajtja e teksteve, për temat që janë trajtuar dhe mesazhin që është dhënë personalisht mendoj se ka pasur  cilësi më shumë se sa që ka tani” ka thënë kompozitori Geci.

Por punën e tij si kompozitor Geci thotë se e bën në koordinim me këngëtarët me të cilët punon duke u bazuar edhe në kërkesat që ata kanë

” Në përgjithësi e kam shprehi po flas për projektet e mija për të dhënë idenë time te këngëtarët që vijnë  për projekte tek unë, dhe në përgjithësi projektet muzikore realizohen në koordimin të dyanshëm”tha Geci për Klankosova.tv.

Por pavarësisht nga të gjitha ato që po ndodhin në tregun muzikor, grupi rok “Elita 5” ka arritur që për katër dekada të mbijetojë në skenën muzikore me këtë zhanër.

Vokalisti i grupit Arif Ziberi thotë për Klankosova.tv se kjo ka ndodhur për shkak të kujdesit të madh në përzgjedhjen e këngëve të cilat “Elita 5” i ka servuar adhuruesve të vet.

 

“Ne i përkushtohemi maksimalisht një projekti muzikor  që e realizojmë, si në përmbajtje të këngës ashtu edhe në pjesën muzikore dhe vizuele, pasi  nuk jemi nga ato grupe që nxjerrim çdo muaj këngë të re” ka thënë Ziberi.

Artikuj të ngjashëm