Një 18-vjeçare ndikuese e modës në Rusi thotë se ajo përballet me 6 vjet burg për përdorimin e Instagramit.
Sipas OJQ-së ruse të të drejtave dixhitale Roskomsvoboda, Veronika Loginova është individi i parë që ndiqet penalisht pasi një gjykatë ruse ndaloi Instagramin dhe Facebook-un për aktivitete “ekstremiste” në mars, pas pushtimit të Ukrainës.
Loginova ka 550,000 ndjekës në Instagram, si dhe një numër të ngjashëm abonentësh në YouTube. I gjithë profili i saj fokusohet tek xhirimet e modës dhe pozat me veshje të ndryshme. Një përmbledhje e postimeve në Instagram të gjeoetiketuar në Moskë, ku ndodhet Loginova, tregon se shumë rusë që përdorin VPN vazhdojnë të postojnë përmbajtje në platformë pavarësisht ndalimit.
Loginova postoi fotografi të një dokumenti në Instagram që pretendon se i ishte dërguar nga prokurorët rusë, të cilët e akuzojnë atë se “ka kryer veprime për të tërhequr përdoruesit në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram”.
Deklarata e prokurorit shtoi se postimi atje “mund të konsiderohet një formë pjesëmarrjeje në aktivitetet e një organizate ekstremiste” dhe se ishte kryer një auditim i përmbajtjes së Loginova.
Në postimin e saj në Instagram, Loginova tha se për herë të parë u alarmua nga autoritetet kur nëna e saj e telefonoi në gusht duke i thënë se “njerëz erdhën në shtëpinë tonë dhe ata po të kërkojnë ty”.
Ajo i është drejtuar mbështetjes ligjore të Roskomsvoboda, një organizatë jofitimprurëse ruse që mbështet mbrojtjen e të drejtave dixhitale të përdoruesve të internetit, kreu i praktikës ligjore të së cilës Sarkis Darbinyan tha: “Kjo, natyrisht, nuk është aspak ajo që prokurorët premtuan kur ata e njohën Instagramin dhe Facebookun si ekstremistë, kur deklaruan publikisht se ky vendim nuk do të prekte përdoruesit fundorë. Tani rezulton se po.” /Prive.al