Vetëm gjatë muajit janar të këtij vitit, në Kosovë kanë ndodhur 119 raste të shkurorëzimeve.
Për këtë numër kaq të madh të ndarjeve po ndikojnë shumë faktorë, thonë psikolog e sociolog në vend.
Psikologu Ilir Havolli ka thënë se faktorët psikologjik, psikofiziologjik, social dhe socio kulturorë, ndikojnë në rritjen e numrit të shkurorëzimeve, ku sipas tij, me eliminimin e këtyre mund të mënjanohet fenomeni i shkurorëzimit.
“Duke pasur parasysh numrin shumë të madh kohëve të fundit të shkurorëzimeve që po ndodhin në Kosovë, janë një mori faktorësh të cilët ndikojnë që të rritet ky numër i shkurorëzimeve, duke filluar nga faktorët psikologjik, psikofiziologjik, social dhe socio-kulturor”.
Sipas tij, edukimi familjar është çelësi i suksesit për një shoqëri të shëndoshë, duke shtuar se faktori ekonomik ka bërë që të ketë numër të madh të shkurorëzimeve.
Madje ai thotë se pas periudhës së divorcit çiftet përballen me paragjykime të ndryshme të cilat kanë ndikim negativ te dy gjinitë.
Ndërsa sociologu Bekim Selishta si masë parandaluese ka përmendur “modelin gjerman”, që ka të bëjë me punësimin e gruas, dhe mundësinë e pagesës së tatimit 75 përqind më pak ndaj shtetit nëse krijon familje.
“Rritja e divorceve nuk mund të fokusohet vetëm në një problem ose në një shkaktar, por janë disa mori shkaktarësh që ndikojnë. Nëse dëshirojmë me i trajtuar më seriozisht këto fenomene duhet të marrim modelin gjerman i cili ndikon tek çiftet e reja që kanë përparësi në punësim, në sektorin publik ose privat”.
“Përparësi shumë e madhe që kanë është se nëse kanë fëmijë, i pari i dyti dhe i treti shkojnë prej 30 deri në 75 për qind më pak tatim paguan ndaj shtetit nëse krijon familje. Kjo është një përparësi e madh që ndikon pozitivisht tek çiftet e reja që nuk kanë ngarkesën psikologjike, ekonomike, sociale dhe shumë probleme të tjera që kalojnë rrugës”, ka thënë Selishta/eo