Gjykata e Prishtinës nuk ka arritur ta gjejë vendndodhjen e këngëtares Adelina Ismaili.
Ajo ishte paraparë që sot të dëshmonte në gjyqin ndaj Enver Sekiraqës për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, por sipas gjykatës dorëzuesi nuk ka arritur ta gjejë adresën se ku jeton Adelina Ismaili, ndërsa numrat e saj të telefonit nuk janë të qasshëm.
Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti në fillim të seancës njoftoi se në cilësinë e dëshmitares ka pasur të dëgjohet Adelina Ismaili.
Gjykata ka dërguar ftesë por nga shpërndarja e postës, Gjykata është njoftuar se dëshmitarja nuk ka një adresë të re dhe numrat e telefonit nuk janë valid.
“Gjykata ka dërguar ftesë dëshmitares, por nga shpërndarja e postës, jemi njoftuar se adresa dhe numrat e telefonit nuk janë valid”, tha kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti.
Më pas trupi gjykues i pyeti palët nëse pajtohen që deklaratat e dëshmitares Adelina Ismajli të konsiderohen si të lexuara pasi është bërë një kohë të gjatë që nga koha e zhvillimit të gjykimit.
Prokurori special Haki Gegaj tha se dëshmitarja që ka pasur të dëgjohet sot është një dëshmitare shumë e rëndësishme.
“Nga shkresat e lëndës që unë disponoj, ajo ka dhënë deklarata në polici, në prokurori, po ashtu ka dhënë deklaratë në shqyrtimin gjyqësor të kësaj çështje penale. Unë e di që ka vështirësi me këto ndërrimin e adresave. Unë mendoj se nëse mbrojtja dhe të pandehurit pajtohen, unë do të isha pajtuar që të lexohen deklaratat e saj që i ka dhënë në fazat e mëhershme të procedurës penale”, tha prokurori Gecaj.
Avokatja Kosovare Kelmendi deklaroi se pajtohet me lexim e deklaratës së dëshmitares e dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësore për faktin se gjatë atij gjykimi dëshmitarja në fjalë është sqaruar edhe me deklaratat e saj që i ka dhënë në fazat e mëhershme.
“Andaj unë vetëm do të lusja trupin gjykues që gjatë leximit të deklaratave të kësaj dëshmitare të ketë parasysh vetëm rrethanat në lidhje me pikën 1 të aktakuzës”, tha avokatja Kelmendi.
Lidhur me këtë Gjykata mori aktvendim dhe aprovoi kërkesat e prokurorit që deklaratat e dëshmitares Adelina Ismjali të dhëna në të gjitha fazat e procedurës të konsiderohen si te lexuara.
Gjithashtu trupi gjykues bëri të ditur se në këtë proces gjyqësorë janë edhe katër dëshmitarë që do të dëgjohen në seancat e radhës: Ema Ismjali, Zanfina Ismajli, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi.
Enver Sekiraqa po gjykohet nën akuzat e prokurorisë për nxitjen e vrasjes së policit nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës Triumf Riza. Sekiraqa në vitin 2016 ishte dënuar me 27 vjet burg.
Rasti u kthye në rigjykim pasi Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes, Kosovare Kelmendi.
Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.
Për vrasjen e policit Riza, Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg pasi është gjetur fajtor në akuzën se ka qenë ai që e ka vrarë Triumf Rizën në vitin 2007 në lagjen ‘Santea” më Prishtinë.