Gazetari si sozia e Ramës që bëri xhiron në internet: ‘Nuk keni parë gjë akoma’

By

Tash e gati dy javë, në rrjete sociale janë shndërruar në virale videot e shkëputura nga ‘kopja e Kryeministrit Rama’, që në fakt është gazetari Klinton Zeqiraj, i angazhuar këtë sezon në emisionin investigativ ‘Stop’.

E pas vëmendjes së marrë, ai ka folur në një intervistë dhënë suplementit ‘Panorama Plus’.

I pyetur se si u ndje nga reagimet e marra në terren nga qytetarët e shumtë, Klinton u shpreh:

‘Unë u ndjeva shumë mirë nën lëkurën e një Kryeministri atipik si Edi Rama. Tek e fundit, fakti që Rama është personazh i pazakontë të bën ta imitosh. Sa për reagimin e njerëzve, ishte ai që keni parë në televizor. Jemi përpjekur t’i sjellim reagimet siç ndodhën në terren, me ndonjë shkurtim, kur kishte ndonjë tejkalim etike. Shumë qytetarë u dëfryen me versionin e ri të Edi Ramës. Madje, dhjetëra persona kanë kërkuar të bëjnë foto me mua atë ditë.’

Pjesë nga intervista për ‘Panorama’ më poshtë.

Çfarë komentesh të kanë ardhur, të kanë vlerësuar për imitimin?

Klinton Zeqiraj: Kur materiali po transmetohej mbrëmjen e 31 dhjetorit, gati m’u bllokua telefoni nga mesazhet dhe telefonatat. Miqtë e të njohurit e mi vërshuan të më uronin, ndërsa miqtë virtualë shfrytëzuan rrjetet sociale që unë përdor, për të më bërë komplimente pafund. Të njejtën gjë më tha dhe Saimiri e kolegët e “Stop”. Impakti ishte përtej çdo imagjinate dhe u ndjeva i lumtur e mirënjohës.

Batutat e Kryeministrit që të pëlqejnë më shumë nga ato që ke përdorur në “Stop”?

Klinton Zeqiraj: “Sa kalamaj ke ti? Menjëherë i ke bërë? – Ulu mor burrë, se më çmende!- shpifje-shpifje-shpifje, shpifje. Por mbi të gjitha, pëlqej “nuk keni parë gjë akoma”, që shpresoj të jetë e vërtetë dhe të vlejë për punën time në “Stop”.

Çfarë komentesh të bënë Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj si aktor profesionist?

Klinton Zeqiraj: Saimiri është shumë mbështetës dhe nuk ka limit në atë që do të arrijë. Më vlerësoi dhe më dha dhe shumë këshilla për Ramën e ardhshëm. Po kështu, Genti e vlerësoi faktin që një joprofesionist si unë solli në mënyrë dinjitoze figurën më të pushtetshme e të komentuar në vend.

Pas Ramës, cilët politikanë meshkuj apo femra ke plan të imitosh tani e tutje?

Klinton Zeqiraj: Cikli i Ramës nuk ka mbaruar. Siç ju thashë: “Nuk keni parë gjë akoma”. Personazhet në radhë janë në proces studimi e sipër. Gjithçka në kohën e vet. Deri atëherë, do të kemi mundësi që bashkë të flasim sërish.

Nën lëkurën e Kryeministrit, si ishte të ishe i pushtetshëm?

Klinton Zeqiraj: Mora mbi vete simpatitë dhe antipatitë e njerëzve ndaj Kryeministrit të tyre. Kësisoj nuk munda të shijoj mirëfilli pushtet, por të kuptoj me çfarë përballesh kur ke pushtet. Ndesha njerëz që gëzonin se shihnin qoftë edhe shëmbëlltyrën e Edi Ramës e të tjerë që gati-gati e urrenin e mendonin që do t’u shkonte dita ters, duke e nisur me fytyrën e Ramës. Unë u argëtova pafund dhe e shijova shumë.

Nëse do të përballeshe me Ramën me atë pamje, çfarë mendon se do të thoshte dhe si do t’ia ktheje?

Klinton Zeqiraj: Le ta lëmë të hapur këtë kërshëri tuajën dhe timen. Nuk dua të bëj parashikime dhe as orakullin. Do të përpiqem të punoj për të sjellë situata të pazakonta dhe jo të konsumuara në ekranet shqiptare. Me shumë punë e pak fat, do të argëtohemi të gjithë. Më uroni edhe ju fat!

Artikuj të ngjashëm