Doni të blini parfum? Tre hapat për të dalluar një parfum origjinal

By

Parfumi është një produkt i padukshëm në pamje të parë, por pa diskutim një prej atyre akesorëve më përcaktues në stilin e një personi. E keni pyetur veten pse na pëlqen një parfum?

Ndoshta sepse na kujton diçka. Ndoshta sepse na përfaqëson, na shpreh, na plotëson. E vështirë përgjigjja. Shqisa e të nuhaturit është ajo që ka ndërhyrje të menjëhershme tek kujtesa jonë, tek emocionet e njeriut dhe psikologjia e tij. Është e vështirë të përcaktosh nëse ekziston një ditë ose stinë e veçantë ku duhet përdorur vazhdimisht parfum, por njëzëri pohojmë që ditët e nxehta të verës do të ishin të paplota pa nuhatjen e aromave joshëse, transmeton Klan Kosova.

Zgjedhja e një parfumi është tejet individuale duke filluar nga aroma, përmbajtja, marka e preferuar e të tjera, por a jeni gjithmonë të sigurt që produkti që keni blerë është origjinal?

Nuk duam aspak të hedhim hije dyshimi mbi cilësinë e mallrave që shiten në Shqipëri, por eksperienca ka treguar që shpeshherë bëhen mashtrime të mëdha dhe përfundoni duke blerë një produkt të lirë dhe mbi të gjitha IMITIM. Në këtë artikull do të gjeni tre hapat që do t’ju ndihmojnë të bëni zgjedhjen e duhur dhe të mos bini pre e mashtrimeve.

Ambalazhimi: Në pjesën e poshtme të parfumeve origjinalë, aty ku gjendet barkodi, është i gdhendur një kod i veçantë që ndryshon nga produkti në produkt, por tregon origjinalitetin e tij. Në parfumet fals, ky kod nuk ekziston.

Ngjyra e parfumit: Shtëpitë e njohura të prodhimi të parfumeve nuk përdorin ngjyrues artificial në produktet e tyre. Një parfum origjinal vjen një gjithmonë në një tonalitet të zbehtë, kurse imitimet janë të ndezur.

Vendosja në kuti: Kur blejmë një parfum, sigurisht që ajo që na tërheq është dhe kutia apo shishja me të cilën prezantohet. Kur hapni parfumin që keni blerë kushtojini rëndësi këtij detaji pasi mund të jetë shumë përcaktues. Parfumet origjinale kanë prerje të kutisë në varësi të formës së shishes, kurse kutia e një imiti ngjan me paketimin e një sapuni, shkruan Living, transmeton Klan Kosova.

Artikuj të ngjashëm