Bubble feston ditëlindjen e parë

By

Shkruan: Agon REXHEPI

Hapësirat ftuese dhe mikpritëse për personat LGBTIQ+ dhe ndërveprimi publik janë të limituara për shkak të shtypjes sistemike ndaj personave LGBTIQ+ dhe nivelit të lartë të homofobisë e transfobisë. Përkundër kësaj, personat LGBTIQ+ kanë krijuar forma alternative të organizimit dhe manifestimit të lirisë, krenarisë dhe të të qenurit. Sidomos vitin e fundit, aktivitetet e tilla queer filluan të lulëzonin. Si rrjedhojë, më shumë se kurrë, lindi nevoja e të pasurit një hapësirë të përbashkët, një vendtakim, një platformë të sigurt.

I inspiruar nga krejt kjo, aktivisti më i zëshëm i të drejtave LGBTIQ+, Lendi Mustafa, arriti ta konkretizojë planin dhe ëndërrën e tij shuëmvjeçarë. Ai me shumë persona queer dhe aleatë, arritën ta shkruanin historinë duke e hapur një ndër lokalet e para LGBTIQ+ në vend, Bubble Pub. Më 15 prill të vitit që lam pas, Bubble Pub hapi dyert si lokali i vetëm LGBTIQ+ në vend.

Bubble Pub, si hapësira e vetme publike e dedikuar për personat LGBTIQ+ është padiskutim një kthesë shumë e rëndësishme e lëvizjes LGBTIQ+. Pikërisht ky vend përmes mënyrave të ndryshme artistike dhe jo vetëm, rreket të fuqizojë personat LGBTIQ+ duke ofruar një vend të sigurt dhe përkrahje të të gjitha formave , një sërë aktivitetesh argëtuese e edukative dhe duke përkrahur artistët dhe artin queer.

Ky lokal me vendndodhje mu në qendrën e kryeqytetit është një ndërveprim i vazhdueshëm publik me qytetarët e tjerë, por kësaj here në një formacion tjetër të pushtetit. Andaj, rëndësia e tij shtrihet përtej fuqizimit të komunitetit LGBTIQ+, duke përforcuar fuqishëm betejën paqësore kunddrejt shtypjes sistemike ndaj personave LGBTIQ+.

Bubble Pub gjatë këtij viti ka organizuar afro 250 aktivitete me karaktere të ndryshme.

Këto aktivitete janë fokusuar në pesë fusha kryesore; aktivitete për ngritjen e fondeve për personat LGBTIQ+ në nevojë, sidomos personat trasngjinorë; aktivitetet e organizauara për shfaqjen e artistëve të ri queer; aktivitetet që kanë për qëllim promovimin e formave alternative të artit; aktivitetet që kanë për qëllim krijimin  e bashkëpunimit dhe thellimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje përmes kulturës queer; dhe së fundmi, aktivitetet drag, që për qëllim kanë ofrimin e hapësirës për zhvillimin e drag si formë e artit.

Krahas këtyre aktiviteteve, Bubble Pub ka organizuar edhe aktivitete të tjera si netë poetike, ekspozita, diskutime, shënime të ditëve kombëtare/ndërkombëtare të kalendarit queer, festimin e javës dhe muajit të krenarisë, asistencë në publikimin e librave, karaoke etj. Po ashtu, në shkurt të këtij viti, Bubble ishte nikoqir i aktivitetit “Hollywood and Vine Show” që mikpriti në Kosovë një mbretëreshë drag queen legjendare nga Nju Jork, Miss Sherry Vine.

Për një vit, Bubble ka arritur jo vetëm të organizojë tërë këto aktivitetë të mrekullueshme dhe të krijojë një audiencë me numër gjigant të mysafirëve dhe përkrahësve, por është shndërruar edhe në shtëpine e dytë për shumë persona LGBTIQ+. Ky vend mbetet familja e zgjedhur e çdo personi LGBTIQ+ dhe një vend që fal dashuri dhe ngrohtësi për gjithëkënd.

Bubble sot është një themel i manifestimit, lirisë, dashurisë, fuqisë, përkrahjes, forcës dhe guximit. Është familja e dytë e çdo personi LGBTIQ+; dera  e parë ku trokasin çdo ditë, për ta përjetuar çdo emocion. Është vend që fal vetëm dashuri, mirënjohje dhe kënaqësi për çdokënd.

Në nder të ditëlindjes së parë, Bubble ka planifikuar disa aktivitete, për të cilat mund të informoheni në rrjetet e tyre sociale, @bubble__pub. Ky vend po shkruan historinë. Andaj, ne i urojmë shumë suksese dhe shumë ditëlindje të tjera.

View this post on Instagram

A post shared by Lend Mustafa (@lendosteron)

Shënim: Artikulli dhe të gjitha të drejtat e tij i përkasin autorit, Agon Rexhepi. Si i tillë nuk paraqet qëndrim redaksional të portalit Prive.al.

 

Artikuj të ngjashëm