Vetëm disa ditë më parë, Teatri Kombëtar i Kosovës kishte përzgjedhur katër aktorë të rinj në ansamblin rezident.
Edlir Gashi, Qëndresë Jashari, Valmir Krasniqi e Donikë Ahmeti ishin katërshja triumfuese që u bënë pjesë e institucionit më të lartë teatror mes një konkurrence prej 31 aktorësh.
Por, i njëjti konkurs tanimë është anuluar.
Kështu ka njoftuar Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit – kjo pasi që Lidhur me procesin e përzgjedhjes kishte pasur reagime publike kundër atij vendimi, që nga shumë njohës të fushës u cilësua “skandaloz”.
Disa nga pikat me të cilat nuk u pajtohen aktorët pjesëmarrës në audicion janë si më poshtë:
Përbërja e komisionit nga persona të huaj që nuk kuptonin gjuhën shqipe
Komisioni për përzgjedhjen ishte i përbërë nga aktorë dhe regjisorë italianë, të cilët nuk zotëronin njohuri të gjuhës shqipe. Ky fakt ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e vlerësimit, pasi aftësitë tona artistike nuk mund të jenë vlerësuar siç duhet nga persona që nuk e kuptojnë gjuhën dhe interpretimin tonë.
Mungesa e përkthyesit të certifikuar ligjor
Gjatë procesit nuk ka qenë i pranishëm një përkthyes i certifikuar, çka përbën shkelje të rregullave procedurale dhe një pengesë të madhe për transparencën dhe drejtësinë e vlerësimit.
Konflikt interesi nga regjisori Kushtrim Bekteshi
Njëri nga anëtarët e komisionit, regjisori Kushtrim Bekteshi, aktualisht është duke bashkëpunuar në shfaqje teatrale me dy aktorët e përzgjedhur për ansamblin rezident, Qëndresa Jashari dhe Edlir Gashi.