Anita Haradinaj deklarohet pas shkrimeve të fundit në portale

By

E përditshmja “Bota Sot”, duke u thirrur në burime të veta, raportoi dje se moderatorja Anita Haradinaj është sulmuar fizikisht nga burri i saj, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe sipas raportimit të gazetës, moderatorja e njohur ka përfunduar në emergjencë.

Rreth këtij raportimi, Gazeta Express ka zhvilluar një bisedë telefonike me Anita Haradinajn, e cila është deklaruar rreth shkrimit të gazetës “Bota Sot”.

Teksa flet për Gazetën Express, moderatorja Anita Haradinaj tregon se e ka lexuar raportimin e mbrëmshëm për të si dhe mohon se ish-kryeministri Haradinaj ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

“Po e kam pa (raportimin). Së pari unë hiç s’jam në Prishtinë, jam në Durrës, e para e punës. Kështu që nuk janë të vërteta hiç, po nuk e di pse janë çu peshë” – deklaroi Anita Haradinaj.

Moderatorja e televizionit publik pohon se burri i saj, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ka ushtruar asnjëherë asnjë lloj dhune ndaj saj.

“Edhe bash me ta thënë të vërtetën, prej kur jam martu unë, kurrë n’jetë s’ka ndodhë Ramushi me ushtru ndonjë lloj dhune. E s’po e di ku e kanë gjetë forcën me bë kësi thashetheme banale. Sepse roli i medias, unë jam në media, i kam 21 vjet, nuk është me bë thashetheme”, u shpreh tutje moderatorja.

E pyetur nëse ka kontaktuar me mediumin që raportoi dhunën fizike, të cilën ajo po e mohon, dhe nëse e ka ndërmend të bëjë ndonjë denoncim, Anita Haradinaj tha: “Nuk jam marrë me këtë punë hiç, për arsye se nuk m’u ka dukë as e arsyeshme, as interesante, m’u ka dukë kot”.

Sakaq, Policia e Kosovës dhe Prokuroria nuk kanë kthyer përgjigje për mediat.

Artikuj të ngjashëm