Ambasadori serb e quan Dua Lipën bashkëkombëse të tij!

By

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, gjatë një përplasje virtuale me ish-ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e ka quajtur këngëtaren kosovare me famë botërore, Dua Lipën, bashkëkombëse të tij, duke thënë se është krenar për të.

“Duke lënë komentet urrejtëse anash, jam shumë krenar për bashkëkombësen tonë të dashur Dua Lipa (flamur i Serbisë) edhe pse ajo mund të mendojë ndryshe për çështjet politike”, ka shkruar Gjuriq në llogarinë e tij në Twitter.

Ai këtë koment e ka bërë derisa i ka reaguar Çitakut me të cilën ka zhvilluar një debat të ashpër.

Gjithçka filloi pasi Çitaku shpërndau një lajm për tenistin serb, Novak Gjokov, në mbishkrimin e së cilit shënoi “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se tjerat” — shprehje e njohur nga libri “Ferma e Kafshëve” nga George Orwell.

Çitaku la të kuptohet se Gjokoviq po favorizohet nga organizatorët e turneut, pasi u vendos që të garojë pa qenë i vaksinuar, për dallim nga lojtarët e tjerë. Gjokoviq ende nuk ka njoftuar për statusin e vaksinimit.

Gjuriq i reagoi Çitakut duke thënë se kjo e fundit përdori gjuhë të urrejtjes me motive etnike. Madje, ai shtoi se fjalimi i ish-ambasadores së Kosovës është “çnjerëzor”.

Artikuj të ngjashëm