Seriali “Tatort” është një projekt gjerman televiziv, që vazhdon të luhet që prej vitit 1970 dhe sjellë në skenë aktorë të ndryshëm për të performuar personazhet e serialit.
Ky serial që do t’i serohet audiencës gjerman-folëse, do të ketë për regjisor Maris Pfeiffer, e si kompani produksioni Warner Bros. Episodi i ri i “Tatort”, sjellë në kastën e tij edhe një aktor shqiptar.
Ilir Rexhepi, aktori me origjinë nga Kosova që po ndërton karrierë në Gjermani, ka folur për portalin KultPlus për rolin e tij në Tatort, duke thënë se pjesëmarrja në këtë serial, ishte ëndërr e tija.
Rexhepi ka luajtur krah aktorëve të njohur si Jörg Hartmann, Anna Schudt e Samuel Finzi.
“Gjithmonë kam dashur të kem një rol në “Tatort”, i cili që nga viti 1970 gëzon popullaritetin më të madh nga të gjitha serialet tjera në Gjermani, Austri dhe Zvicër, e po ashtu gjithmonë ka pasur kastën më të mirë të aktorëve gjermanë, austriakë e zviceranë”, ka thënë Rexhepi, i cili po ashtu ka shtuar se çdo aktor në vendet gjerman folëse, e ka ëndërr dhe do të luajë në këtë serial të famshëm. /Prive.al