Aksidentohet djali i Presidentit Thaçi

By

Djali i Presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, është aksidentuar sot në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë.

Gazeta Shneta ka mësuar nga burime të sigurta brenda Klinikës Emergjente se ai është dërguar me urgjencë pasi ka pësuar disa lëndime në aksident.

“Është pranuar në Emergjencë pas orës 5 të mëngjesit. Ka pas disa lëndime të lehtë, gjakderdhje nga hundët. I janë bërë të gjitha ekzaminimet, rtg dhe CT, e pastaj është liruar në shtëpi”, ka thënë ky burim.

Gazeta ka kontaktuar me Policinë e Kosovës e cila e ka konfirmuar aksidentin, por nuk ka dhënë detaje për emrat e personave të përfshirë në aksident. “Sot në ora 05:25 në rrugën Prishtinë – Ferizaj, te rreth rrotullimi afër Stacionit Policor Jugu, ka ndodhur një aksident në mes të tri automjeteve. Si pasojë e aksidentit një person është lënduar. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, ka deklaruar zëdhënësja e PK-së Flora Ahmeti.

Gazeta ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga Zyra e Presidentit të Kosovës, por nuk kanë kthyer përgjigje në adresën elektronike. Njëjtë nuk kanë dhënë sqarime as zyrtarët e QKUK-së. Gazeta ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës Emergjente Dr. Basri Lenjani, por ai nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk ka kthyer as zyra për informim e QKUK-së. /Gazeta Shneta/

Artikuj të ngjashëm