Edicioni i 56-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar vazhdoi edhe mbrëmë, një natë para finales.
Ndonëse dukshëm më mirë se edicioni paraprak, nga skenografia, koncepti e të ftuarit, Festivali as këtë herë nuk ka shpëtuar pa qenë objekt i kritikave.
Cikli i njejtë i artistëve që garojnë për çmimin e parë dhe tendencat e rivalitetit jo lojal kanë qenë disa prej kritikave.
Por, pak kush do e besonte se pakënaqësi do shkaktonte edhe Adi Krasta.
Prezantuesi i Festivalit, i njohur për mprehtësinë e fjalës dhe korrektësinë ka habitur jo pak kur po prezantonte një prej këngëve garuese.
Duetin ‘Ra një Yll’ të Luiz Ejllit dhe Rezarta Smakës, Krasta e ka reduktuar duke mos e përmendur këngëtarin shkodran.
Një, dy, plot TRE herë duke vulosur faktin se nuk bëhej fjalë për një gafë apo diçka të ngjajshme.
Tre shmangiet nga emri i tij, i ka ndarë me ndjekësit në rrjete sociale vetë Luiz Ejlli i cili duke pyetur mbi prapavinë e gjestit shprehet se kjo s’ka ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës.
Të shumtë kanë qenë ata në komente që janë dëshpëruar dhe kanë kritikuar gjestin e Krastës e madje ka pasur propozime që Luizi edhe ta padisë për këtë veprim. Çfarë mund të ketë pasur vallë Adi? /Prive.al