Me kërkesë të avokatit Florent Latifaj, mbrojtës i këngëtarit Sinan Vllasaliu, është anuluar seanca e së enjtes në rastin ku artisti po akuzohet se ka dëmtuar shtetin me 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.
Gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica konfirmoi se avokati Latifaj përmes parashtresës kishte kërkuar që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se i akuzuari Vllasaliu gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Andaj, gjykatësja Krasniqi-Jashanica njoftoi se seanca e sotme është anuluar dhe se për këtë janë njoftuar palët.
Ndryshe, i akuzuari Vllasaliu ishte deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 18 nëntor 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.
Aktakuza thotë se i pandehuri Vllasaliu në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.
Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.