Që nga prilli i vitit 2022, çështja gjyqësore në mes të aktorit, Johnny Depp dhe ish gruas së tij, aktores Amber Heard po vazhdon të etiketohet si gjyqi më i madh i Hollivudit, ndërsa kjo ngjarje ka shërbyer si inspirim për një film të ri.
Filmi, që do të quhet “Hot Take: The Depp/Heard Trial” është shkruar nga autori, Guy Nicolucci, ndërkaq regjinë e tij e ka marrë përsipër, Sara Lohma.
Filmi është i mbushur me yje të kinematografisë, ku roli i Depp i është besuar aktorit, Mark Hapka, ndërsa në rolin e Heard, do të shfaqet aktorja, Melissa Marty.
Premiera e këtij filmi do të jepet të premten e 30 shtatorit.
Promoja e filmit e publikuar më 28 shtator, deri më tani ka grumbulluar më shumë se 100 mijë shikime në platformën e YouTube, por jo të gjithë e duan publikimin e tij.
“Duke pasur parasysh materialet e ndjeshme të diskutuara në këtë rast, duke përfshirë dinamikën e abuzimit, dhunimit nga bashkëshorti, dhunën në familje, abuzimin në familje dhe abuzimin me substancat, ekziston një shqetësim në rritje se ky nxitim fokusohet më shumë në polemika sesa në kujdes dhe mirëkuptim. Për më tepër, gjyqi nuk është një çështje e zgjidhur plotësisht – ka ende apelime në proces dhe duket shumë herët për të rënduar mbi jetën e Depp & Heard, ndërkohë që kjo vazhdon të jetë një çështje ligjore e vazhdueshme për të dy”, thuhet në një peticion virtual, që po synon anulimin e filmit.