Bota e futbollit, u trondit nga kolapsi shëndetësor i Christian Eriksen në fushën e gjelbër.
Në minutën e 43-të, Eriksen papritur u rrëzua përtokë. Sipas raportimeve futbollisti përjetoi një arrest kardiak, por fatmirësisht arriti të merrte në kohë ndihmën mjekësore.
Pas dërgimit në spital, mediat ndërkombëtare kanë dhënë lajme të mira për gjithë tifozët. Agjenti i futbollistit, Martin Schoots, ka deklaruar se Eriksen është në gjendje të mirë shëndetësore, merr frymë dhe se mund të flasë.
Një gjë të tillë e konfirmoi edhe futbollisti me anë të një postimi në llogarinë e tij në Instagram.
“Përshëndetje të gjithëve. Faleminderit shumë për urimet dhe mesazhet tuaja të ëmbla dhe të mahnitshme nga e gjithë bota. Kjo do të thotë shumë për mua dhe familjen time. Jam mirë, në këto rrethana. Më duhet të bëj ende disa kontrolle mjekësore në spital, por ndihem mirë. Tani do të bëj tifozllëk për djemtë e Danimarkës në ndeshjet e radhës. Luaj për të gjithë Danimarkën. Më të mirat!”, ka shkruar Eriksen në postimin e tij.