Florian Kondi i njohur profesionalisht si Dr Flori, ishte një producent kantautor dhe reper. Kondi ishte një nga anëtarët themelues të grupit West Side Family, i cili pati sukses të madh duke sjellur hite të padiskutueshme që i mbijetuan kohës.
Vdekja e artistit la të shtanguar komunitetin e artit dhe të gjithë fansat e tij, kur ndërroi jetë më 17 nëntor të vitit 2014. Dr Flori vdiq në moshën 35 vjeçare, duke lënë gruan e tij dhe dy fëmijët. Shkaku zyrtar i vdekjes në obduksionin e tij ishte mbidoza.
Trashëgimia artistike që la pas Dr.Flori, frymëzoi edhe artistë tjerë dhe për nder të jetës dhe krijimtarisë së tij, dy anëtarët e West Side Family po organizojnë një koncert si homazh për artistin.
Lajmin e bëri të ditur Landi Fornia me anë të një postimi në llogarinë e tij në Instagram.
“AI
Ai ishte i vërtetë. Ai ishte i drejtpërdrejtë. Ai ishte talent. Ai ishte pasionant. Për këto e shumë të tjera, ai ende mungon dhe do të mungojë gjithmonë. Kam parë dhe po shoh, kam dëgjuar dhe po dëgjoj dhe nuk dua të rrekem të shkruaj bukur, por për mua ai është dhe do mbetet i pazëvendësueshëm.” – shkruan artisti në postimin e tij.
Koncerti do të mbahet më 5 shkurt në Pallatin e Kongreseve. /Prive.al