Vdes poeti i njohur kosovar

By

Ka vdekur në moshën 62-vjeçare, poeti kosovar Xhevdet Bajraj, i cili, që nga koha e luftës në Kosovë, po jetonte si refugjat në Meksikë.

Lajmin për vdekjen e poetit e ka dhënë vëllai i tij, Fadil Bajraj, përmes një postimi në facebook.

“Njoftim mortor: Sot, pas një sëmundjeje të shkurtër, ndërroi jetë vëllai im, Xhevdet Bajraj. Për datën e varrimit ju lajmërojmë në ditët në vijim”, ka shkruar ai.

Bajrajt i është dhënë statusi i refugjatit falë Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve.

Kujtojmë se vitin e kaluar Bajraj ishte i pranishëm në Prishtinë për Panairin e Librit të Vjetër, ku lexoi edhe tri poezi, të cilat i kishte përfshirë në njërin nga librat e tij. Bajraj, në vitin 2022, u shpall fitues i çmimit “Ali Podrimja” për librin më të mirë në poezi me veprën “Burri që lozte me engjëjt”.

Veprat e tij poetike, të cilat gjithsej janë më shumë se njëzet e pesë vëllime, janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, spanjisht, daneisht, serbisht, sllovenisht, hungarisht, turqisht dhe polonisht.

Ai ka qenë fitues i shumë çmimeve dhe nderimeve, ndër to edhe çmimi për librin më të mirë me poezi (si në vitin 1993, ashtu edhe në vitin 2000), dhënë nga Shoqëria e Shkrimtarëve të Kosovës, Çmimi Ndërkombëtar Goliardos për Poezinë në 2004, çmimi Katarina Josipi 2010 për dramën më të mirë origjinale të shkruar në shqip; Çmimi i parë në Festivalin e Monodramës, Vlorë, Shqipëri në 2013 dhe çmimin për librin më të mirë me poezi në vitin 2015, i prezantuar në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë.

Në vitet që pasuan, ai ishte bërë profesor i rregullt i shkrimit krijues dhe letërsisë në Universitetin Autonom në Meksikë dhe është futur në Sistema Nacional de Creadores de Arte.

Artikuj të ngjashëm