Të jesh Rita Ora është e lodhshme. Kështu e nis shkrimin e saj gazeta britanike Mirror, që i ka kushtuar bukuroshes me shqiptare Rita Ora, një shkrim tepër interesant mbi rrugëtimin e 24 – vjeçares nga Kosova drejt Hollywood.
Vetëm gjatë 12 muajve të fundit, Rita ka përshkruar 130 mijë milje rreth e rrotull globit, duke qenë e angazhuar në spektakle televizive, në fotosesione, në regjistrime e deri tek shfaqjet në tapetin e kuq.
Miqtë e saj të afërt shprehen se Rita fle mesatarisht 5 orë dhe Mirror këtë regjim të artistes e krahason me atë të ish – Kryeministres Margaret Thatcher, ndërsa shkruan se për 24 – vjeçaren, çdo minutë e kohëh së saj është e çmuar.
Në shkrimin e saj, gazeta britanike e sheh këtë sjellje të Ritës si një trashëgimi nga prejardhja e saj ballkanike.
Familja e Rita Orës (Sahatçiu) u larguan nga Kosova drejt Londrës kur ajo ishte vetëm 1 vjeç. Vitet e para të mbrërritjes në Britani ishin ato të refugjatëve në përpjekje për të mbijetuar në një kulturë të re.
Në 2015, shkruan Mirror, të ardhurat personale të këngëtares shumë shpejt mund të kapin shifrat e 100 milionë paund dhe ka një llogari ekskluzive bankare në Coutts & Co, banka personale e Mbretëreshës së Britanisë.
Gazeta vlerëson se Rita, aktualisht është më e famshme dhe e dashur për publikun me pozicionin e saj si mentore në talent shown e BBC, The Voice UK.
Megjithatë Mirror thotë se e reja Rita, ka kaq shumë talente sa në një të ardhme mund të bëhet një ndër yjet më të pasur që industria e showbiz mund të ketë prodhuar ndonjëherë.
E shtuna në mbrëmje shënon natën finale të spektaklit “The Voice” në Britani dhe që kur Rita u ul në karrigen e gjyqtares në muajin Shtator, ku më parë qëndronte Kylie Minogue, 24 – vjeçarja ka qenë ylli i padiskutueshëm i këtij show.
Ardhja e Ritës në “The Voice UK”, shënoi rikthim të fuqishëm të audiencës, duke ia kaluar edhe programeve më të ndjekura në Britani. Puntata e javës së shkuar, shënoi plot 6.3 milionë shikues, 400 mijë më shumë se një vit më parë.
Të gjitha këto të dhëna, Mirror ia atribuon si merita asaj që e quan “efekti Rita”. Fansat e kanë vlerësuar gjykimin, ngrohtësinë dhe vendosmërinë e saj, si unik dhe jashtë çdo klisheje, ndërsa BBC i ka kërkuar artistes që të jetë pjesë e show edhe sezonin e ardhshëm.
Pas përfundimit të “The Voice UK”, Rita do të udhëtojë drejt Los Angeles për të nisur menjëherë punën në një tjetër projekt.
Një mik i afërt i artistes shprehet për gazetën se: “Njerëzit shpesh mendojnë se jeta e saj është vetëm glamour dhe shfaqje në tapetin e kuq, por në të vërtetë Rita punon shumë fort. Etika në punë për të është tepër e rëndësishme dhe kjo bën që 5 orë gjumë të jenë mjaftueshëm për të. Shpesh ia del edhe me më pak. Pak rëndësi ka sa e lodhur është, Rita beson se gjumi është humbje kohe”.
Po sipas miqëve të saj të afërt, për 14 muajt e ardhshëm, Rita ka gjithçka të planifikuar në detaj. Dëshira e saj është që të punojë pa pushim dhe çdo qindarkë që ajo ka, e ka fituar me punë të palodhur.
Mirror i jep një rëndësi dhe vëmendje të veçantë prejardhjes së Rita Orës. Ja çfarë shkruan kjo gazetë:
Në 1991, teksa grupet rivale copëtuan ish – Jugosllavinë, shqiptarët etnikë si prindërit e Ritës, Vera dhe Besnik Sahatçiu, përballeshin me paragjykimin dhe shtypjen brutale në shtëpinë e tyre në Prishtinë.
Për këtë arsye, ata u larguan sëbashku me fëmijët e tyre, Elena, Rita dhe Don duke emigruar në Britani. Ata u vendosën në një apartament në Londër dhe në atë kohë nuk dinin asnjë fjalë anglisht.
Rita, emër të cilin ia vendosi gjyshi, pas yllit të preferuar të tij kinematografik, Rita Hayworth, u shkollua në Londrën Perëndimore, përpara se të fitonte një vend në shkollën “Sylvia Young”.
Rita beson se, vështirësitë që iu desh të kalonte familja e saj dhe të qënit “refugjatë” e kanë ndihmuar atë që të bëhet e zonja e vetes dhe të përballojë vetë vështirësitë në jetë.
“Fjala refugjat mban me vete shumë paragjykime”, rrëfen vetë Rita, por në të njëjtën kohë shprehet 24 – vjeçarja, na bëri që të ishim më të vendosur se kurrë për të mbijetuar dhe për t’ia dalë mbanë.
Pavarësisht se nëna e saj është psikiatër dhe babai është pronar i një pub -i, Rita e ka biznesin në gjak. Përveç karrierës së saj muzikore dhe në television, ajo është edhe një modele e suksesshme dhe ka qenë pjesë e fushatave për emra të mëdhenj të kësaj industrie si, Donna Karan, Roberto Cavalli, Marks & Spencer e Calvin Klein.
Rita gjithashtu ka dizenjuar linjën e saj personale për Adidas Originals dhe tani, pas shfaqjes në filmin “Fifty Shades Of Grey”, ajo i ka shtuar CV – së së saj edhe aktrimin.
Rita Ora ka investuar në prona, në një restorant në Londër dhe madje ka edhe brand personal vodke, “Pure Wonderora”. Kompania e saj “Ora Multi Services”, pritet që për 2015 -ën të ketë asete që kapin vlerën e 5 milionë paund, ndërsa në 2014, Rita llogaritet të ketë akumuluar rreth 30 milionë paundë. Të gjitha këto, në moshën 24 vjeçare.
Ajo është mikeshë me emrat më në zë të botës së artit, si Kate Moss, Cara Delevingne, Nick Grimshaw etj.
Përveç themeleve të forta të familjes së saj, ajo është influencuar edhe nga mentori i saj Jay – Z, i cili e mori në gjirin e studios së tij “Roc Nation” në 2009 – ën.
Duke folur për reperin, Rita vlerëson se ai i ka dhënë këshillën më të mirë sa i përket showbizit: “Mos humb në eufori”. Ajo i jep gjithashtu merita Madonnës, për të cilën thotë se ka qenë një frymëzim i rëndësishëm në karrierën e saj. Rita admiron gjithashtu Rihannës, si një artiste tepër punëtore, me etikë dhe disiplinë të fortë, një shembull që Rita e ka shprehur hapur se dëshiron të ndjekë, e që siç tregojnë dhe faktet, po e bën.
E në mes të gjithë këtyre angazhimeve, 24 – vjeçarja ia ka dalë që të gjej kohë edhe për jetën private. Prej muajsh ajo është e lidhur me Ricky –n, djalin e një prej emrave më të mëdhenj në botën e modës, si Tommy Hilfiger Historia e dashurisë me Ricky erdhi disa muaj pas ndarjes nga DJ i famshëm Calvin Harris.
Më tej në këtë artikull të gjatë mbi jetën e kësaj artisteje kaq të talentuar me rrënjë shqiptare, gazeta britanike Mirror nuk le pa përmendur faktin se, pas hedhjes në treg të albumit debutues “No 1”, ajo ka qenë në turne në Azi për të lançuar linjën e saj të veshjeve, ka performuar në Moskë, Stamboll, Los Angeles, New York. Ajo ka kënduar gjithashtu për Presidentin amerikan Barack Obama si dhe në ndarjen e çmimeve Oscar e Grammay, ku dhe ishte e nominuar.
Ndërkohë, moguli hollivudian Harvey Weinstein e ka përshkruan atë si “një aktore që të le pa frymë” dhe si “zbulimi më i madh”.
Së fundmi, pas shfaqjes në “Fifty Shades Of Grey”, Rita është pjesë e filmit “Southpaw”, ku luan rolin e një të droguare, krah Jake Gyllenhaal. Ajo ishte gjithashtu pjesë e serisë së fundit të “Empire”, një prej serialeve dramë më të suksesshëm dhe të ndjekur në SHBA.
Në fund, Mirror thotë se tashmë, Rita Ora, është një ndër ato emra që stilistët luftojnë për ta veshur me rrobat e tyre, emra si Tom Ford, Marchesa e Vera Wang.
“Mes ofertave për të qenë imazh për marka prestigjoze, rroleve televizive etj, që Rita merr çdo javë, ajo ka privilegjin që të vendosë kë të pranojë ose jo”, thekson Mirror.
Vështirësitë e Kosovës janë dy dekada dhe 1.600 milje larg, shkruan Mirror, por në mënyrë metaforike, kjo është hapësira galaktike që duhet të përshkosh për të arritur Rita Orën, e përfundon shkrimin e saj kjo e përditshme.
/tvklan.a