Top Channel ka uruar edhe këtë vit shikuesit e tij me një këngë festive. Por ajo që të bën përshtypje po t’i hedhësh një sy videos, krahas mangësisë së skenave masive me stafin në harè e sipër siç i kemi parë në klipet e viteve të shkuara, xhirimit i mungon edhe prezenca e dukshme e prezantueses kryesore të këtij ekrani, Arbana Osmani.
Arbana, e cila ka dalë që në videon e parë të këtij lloji, në vitin 2001 “We are the champions”, nuk shfaqet në asnjë fragment të urimit të 2015-ës. Siç është traditë e kësaj kartoline të veçantë të Top Media-s, figurat ikonë vendosen në qendër të videos, por këtë vit, si kurrë më parë moderatorja historike e Top Channel, në video shfaqet në profil dhe madje i duket vetëm mjekra (minuti 1:34 në video).
E kontaktuar nga lapsi.al, Arbana Osmani nuk ka dhënë asnjë koment për këtë që mund të quhet, papërgjegjshmëri në rastin më të mirë, ose thjesht me (keq)dashje, në vazhdën e sulmit të përfolur që i vjen nga ish-miqtë e saj, për ndryshe kolegët brenda Top-it, të cilët qëndrojnë pranë familjes trashëgimtare. /lapsi.al/