Këngëtarja Rita Ora, u përlot në fjalën e saj gjatë konferencës për shtyp kur foli për rastin e 11-vjeçares që u përdhunua nga pesë burra në Kosovë.
“Pak javë më parë, ajo që ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë se sa e rëndësishme është të kemi në fokus këto çështje sociale dhe sa e rëndësishme është për prindërit dhe komunitetin që të punojnë me të rinjtë që këto ngjarje të mos përsëriten dhe të përmirësohet situata”, u shpreh artistja.
Rita ftoi më tej të rinjtë të jenë pjesë e koncertit që ajo do të mbajë sonte në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet dhe që do të jetë falas për të gjithë.
“Dua të theksoj këtë mesazh për familjen dhe t’i ftoj të gjithë që të bëhet pjesë e koncertit të sotëm në shesh”.
Abuzimi seksual ndaj të miturës u bë publik gjatë muajit gusht, pasi ajo u abuzua nga 5 persona të tjerë në një nga parqet e Prishtinës. Hetimi solli zbulimin e detajeve të tjera, ku dyshohet se ajo është abuzuar seksualisht dhe më pas trafikuar nga gjashtë persona gjatë muajit qershor.
Aktualisht janë 11 persona të arrestuar të dyshuar se e kanë trafikuar dhe kanë abuzuar seksualisht me të miturën. Kujtojmë se kjo ngjarje nxiti protesta në Prishtinë dhe Tiranë./TCh